Me datë 29.04.2024, në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut si dhe profesorë të Fakultetit të Drejtësisë, zhvilluan një leksion të hapur mbi “Kuadri ligjor në fushën e pronësise intelektuale si dhe raste konkrete nga praktika shqiptare”

Me datë 29.04.2024, në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut si dhe profesorë të Fakultetit të Drejtësisë, zhvilluan një leksion të hapur mbi “Kuadri ligjor në fushën e pronësise intelektuale si dhe raste konkrete nga praktika shqiptare”.

Zv.Dekani, Prof.Jonad Bara, pasi përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti, vlerësoi rëndësinë e Pronësisë Intelektuale dhe rolin e institucioneve në garantimin dhe mbrojtjen e saj. Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me këto institucione dhe nxitjes së punësimit për studentët, Zv.Dekani u shpreh optimist për nënshkrimin në të ardhmen të një marrëveshjeje bashkëpunimi me Drejorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale.

Drejtori i Departamentit Ligjor pranë DPPI, Z.Përparim Mezini, paraqiti përpara studentëve një prezantim mbi Pronësinë Industriale, rëndësinë dhe prioritetin që po merr për shpikësit, krijuesit dhe sipërmarrësit e rinj. Z.Mezini trajtoi më në veçanti markat tregtare dhe rëndësinë e tyre për bizneset që operojnë kudo në botë.

Pjesë e panelit ishte dhe përgjegjësja e Sektorit të Pronësisë Intelektuale pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Znj.Rezarta Rajtja. Znj.Rajtja u shpreh se ky institucion është përgjegjës për inspektimin në fushën e sigurisë së produkteve jo ushqimore për përdorim nga konsumatorët dhe fushën e pronësisë intelektuale. Përveç rolit të këtij institucioni në marrjen e masave administrative për shkelësit e të drejtave, ajo theksoi se janë vetë mbajtësit e të drejtave që vënë në lëvizje organin administrativ.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Drejtorisë së të Drejtës së Autorit, pranë Ministrisë së Kulturës, Z.Emiljano Alla, trajtoi në mënyrë të përmbledhur Ligjin “Për të Drejtën e Autorit dhe tё drejtat e tjera tё lidhura me to”, duke ndalur tek objekti i këtij ligji, subjeket dhe fushën e zbatimit, si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorisë për të Drejtën e Autorit(DDA) në vendosjen e masave administrative dhe penale ndaj shkelësve të ligjit.

Zj.Xhesika Lulaj, nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, solli në vëmendje të studentëve raste të praktikës gjyqësore, ku janë konstatuar konflikte në regjistrimin e markave tregtare, si dhe informoi mbi procedurën e ankimit në rast të cënimit të së drejtës së një subjekti, organet kompetente etj.

Leksioni i hapur i mbajtur në Fakultetin e Drejtësisë, nën drejtimin e Dr.Etlon Peppo, ishte një mënyrë e promovimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të studentëve mbi rëndësinë e pronësisë intelektuale dhe masave që parashikon legjislacioni vendas për mbrojtjen e saj.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *