Rr. Ibrahim Rugova, Pallati 64

Tirana, Albania                                                                                       gsainfo@gsa.al

www.gsa.al

 

 

MUNDËSI PRAKTIKE MËSIMORE NË DEPARTAMENTIN LIGJOR

 

Shoqëria GSA shpk është një nga shoqëritë kryesore në Shqipëri në fushën e energjisë dhe prodhimit të Ferrokromit. Në klasifikimin e Revistës Monitor për vitin 2023, shoqëria GSA shpk renditet si shoqëria e 5-të më e madhe në Shqipëri për nga fitimet.

Shoqëria “GSA” shpk në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ka vendosur të krijojë lehtësitë për kryerjen e praktikave profesionale të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë pranë departamentit të saj juridik.

Numri dhe pozicioni i praktikës: praktika ofrohet për 1 (një) student. Pozicioni i praktikës është në Departamentin Juridik. Eprori në GSA do të jetë Drejtori Juridik Z. Dardan Mustafaj ndërsa Fakulteti i Drejtësisë do të caktojë një anëtar të stafit të tij për të ndjekur praktikën, mbikqyrur dhe udhëhequr Praktikantin/en si dhe vlerësuar me notë Raportin përfundimtar të praktikës.

Shpërblimi: Praktikantit do të përfitojë një shpërblim neto prej 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj. Shoqëria “GSA” shpk do të paguajë gjithashtu sigurimet shoqërore për praktikantin në zbatim të nenit 6 të ligjit nr. 7703 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

Kohëzgjatja: Praktika mësimore do të jetë për një periudhë prej jo më shumë se 3 (tre) muajsh kalendarik. Praktika do të zhvillohet me kohë të pjesshme në mënyrë që të mos impaktojë procesin mësimor të studentit/es dhe oraret e praktikës do t’i përshtaten orëve të mësimit të studentit/es që do të seleksionohet. Shoqëria GSA shpk gëzon në çdo kohë të drejtën diskrecionare për të ndërprerë praktikën me studentin/en.

Praktika do të fillojë në datën 01 Maj 2024 deri në datën 31 Korrik 2024.

Vendi i zhvillimit të praktikës: Praktika do të zhvillohet në selinë e shoqërisë GSA shpk (ndodhur në rrugën Ibrahim Rugova, pallati nr. 64, Tiranë) por mund të përfshijë sipas rastit edhe vajtje në terren nëpër gjykata ose institucione të ndryshme si dhe në njësitë e prodhimit të shoqërisë si Uzina e Ferrokromit në Elbasan. Në rast të lëvizjes në terren shoqëria do të mbulojë kostot e transportit dhe praktikanti/ja ka sigurisht gjithnjë mundësinë të refuzojë.

Fushat kryesore në të cilat do të kontribuojë praktikanti/ja: praktikanti/ja do të angazhohet në fushën e legjislacionit të shoqërive tregtare duke marrë pjesë në realizimin e strukturimit të aktiviteteve të shoqërisë (ndarja e aktiviteteve tregtare sipas natyrës së tyre) në disa shoqëri të reja si dhe në strukturimin e shoqërisë në formën e një grupi me “holding”; krijimin e strukturës organike të shoqërive të grupit së bashku me rregulloret e brendshme dhe aktet e brendshme; në fushën e legjislacionit ndërkombëtar duke bashkëpunuar në procesin e zgjerimit të aktivitetit të shoqërisë në Bashkimin Evropian dhe në Indi; legjislacioni kontraktual duke bashkëpunuar në procesin e hartimit të kontratave tip të shoqërive të grupit; legjislacioni tatimor dhe administrativ në raport me institucionet rregullatore; praktikanti/ja do të përpilojë në mënyrë periodike memo dhe raporte rreth zhvillimeve (ndryshimeve) të legjislacionit posaçërisht në fushat që impaktojnë aktivitetin e shoqërisë.

Detyrimet e praktikantit/es: detyrimet kryesore të praktikantit/es janë të ruajë konfidencialitetin dhe të ruajë sekretet tregtare të shoqërisë me të cilat mund të njihet gjatë punës. Të jetë korrekt/e në paraqitje dhe në sjellje. Detyrimet specifike dhe të detajuara do të përcaktohen në marrëveshjen e praktikës mësimore që do të lidhet mes praktikantit/es dhe shoqërisë në përfundim të procesit të seleksionimit.

Në përfundim të praktikës Praktikanti/ja duhet të përgatisë një raport me shkrim mbi praktikën e kryer (referuar si Raporti i Praktikës) ku student/ja të pasqyrojë, pa dhënë informacione konfidenciale apo sekrete tregtare të GSA, punën që ka bërë në GSA dhe dobinë mësimore që kjo praktikë ka pasur për të. Kjo praktikë do t’i paraqitet fillimisht Eprorit të praktikantit në GSA dhe më pas Udhëheqësit të Praktikës në Fakultet dhe do të vlerësohet me notë.

 

Kriteret e kualifikimit: Mundësia e praktikës mësimore i ofrohet çdo studenti që është në vitin e katërt të studimeve ose më lart pavarësisht degës së studimit (e drejtë penale, e drejtë civile, e drejtë publike, etj) apo llojit/nivelit të diplomës (master, doktoraturë etj…).

– Studenti/ja duhet të ketë mesatare të përgjithshme të tre viteve të para të studimit mbi 8 (tetë).

– Studenti duhet të zotërojë mirë gjuhën Angleze. Zotërimi i një gjuhe tjetër është një plus.

– Të ketë aftësi të mira shkrimi dhe komunikimi.

Procedura: Fakulteti i Drejtësisë do të botojë në ambjentet e tij lajmërimin për hapjen e aplikimeve për praktikën mësimore dhe do të njoftojë gjithashtu studentët/et në mënyra të tjera që do ti gjykojë të përshtatshme.

Studentët e interesuar duhet të dërgojnë një CV, vërtetim për mesataren mbi 8 (tetë) dhe letër motivimi në formë elektronike tek shoqëria GSA shpk në adresën dardan.mustafaj@gsa.al brenda datës 20 Prill 2024.

Vetëm kandidatët, kërkesa e së cilëve do të seleksionohet, do të ftohen për t’u paraqitur në një intervistë në zyrat e shoqërisë GSA shpk.

Kandidati/ja fitues/e do të lidh marrëveshjen për praktikën mësimore me shoqërinë GSA shpk.

 

 

Leave A Comment