Në datë 12.03.2024. në Ambientet e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, u mbajt një leksion i hapur nga Rektori i këtij Universiteti Prof. Artan Hoxha dhe Drejtuesi i SPAK Z. Altin Dumani, nën moderimin e Dekanes Znj. Dorina Hoxha.
Prof. Artan Hoxha në fjalimin e tij analizoi hartimin e Reformës në Drejtësi dhe vizionin për strukturat e posaçme anti korrupsion dhe krimit të organizuar. Si Kryetar i Komisionit të Drejtësisë Penale, Prof.Hoxha theksoi domosdoshmërinë e kësaj reforme si dhe analizoi eksperiencën e tij në të gjithë procesin e Reformës në Drejtësi, sfidat, vizionin dhe rezultat e pritshme.
Ne kete diskutim Z. Dumani bëri një paraqitje të rolit dhe funksionit të SPAK, duke u ndalur tek kuadri ligjor, i cili garanton pavarësinë e këtij institucioni, duke theksuar nevojën për shtim personeli, mjetet speciale të hetimit dhe për pavarësi të garantuar. Dumani u ndal te BKH dhe sektorët e brendshëm të SPAK, duke nënvizuar strategjinë e ndjekur nga SPAK në lidhje me hetimin e pastrimit të parave që tashme aplikohet për çdo hetim të veprave penale, në kuadër të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në fund të diskutimit të tij me studentët , Z. Dumani u ndal te qasja ndaj luftës kundër korrupsionit, e cila sipas tij është një betejë, e cila duhet të bëhet nga të gjithë. Kjo luftë nuk mund të kryhet vetëm nga SPAK, por në çdo qelizë të shoqërisë. Ai theksoi se të gjithë kemi përgjegjësinë të mbrojmë institucionet tona nga korrupsioni.Studentët patën mundësinë t`i drejtonin një sërë pyetjesh Z. Dumani, i cili e vlerësoi këtë leksion si një komunikim me kolegët e tij të së ardhmes.