SHPALLET HAPJA E APLIKIMEVE PËR EDICIONIN E DYTË TË KONKURSIT TË NEGOCIMIT!
Pas suksesit mbresëlënës të vitit të shkuar, ELSA Albania, me nismën dhe bashkëpunimin e ngushtë të studios prestigjoze të konsulencës ligjore Frost & Fire Consulting, ka vendosur të sjellë edhe këtë vit ELSA Albania Negotiation Competition (ENC) – një konkurs negocimi që u jep pjesëmarrësve mundësinë të veprojnë si juristë përfaqësues të dy palëve hipotetike, të cilat, me gjithë interesat e ndryshëm, përpiqen të gjejnë një bazë të përbashkët për t’u dakordësuar dhe për të dokumentuar këtë dakordësim në një marrëveshje të shkruar.
Konkursi do të zhvillohet në muajin Prill 2024.
Përveç një përvoje unike dhe të pakrahasueshme, pjesëmarrja në ENC do të sjellë për pjesëmarrësit si vijon:
Çmime monetare për tri vendet e para fituese (në nivel ekipi dhe individi) si vijon:
Ekipet:
Vendi i parë 2000 Euro!
Vendi i dytë 1500 Euro!
Vendi i tretë 1000 Euro!
Individët: Krahas çmimeve që merren si ekip, garuesit më të spikatur shpërblehen me:
Vendi i parë 500 Euro!
Vendi i dytë 300 Euro!
Vendi i tretë 200 Euro!
Një trofe për fakultetin pjesëmarrës.
Certifikata individuale për çdo anëtar të ekipit.
Mundësinë për anëtarët e ekipit për të bërë një praktikë të paguar pranë Frost & Fire Consulting apo klientëve dhe bashkëpunëtorëve të Frost & Fire Consulting, ku përfshihen shumë nga bizneset më të rëndësishme në Shqipëri.
Mundësinë për t’ju ofruar kontratë punësimi pranë Frost & Fire Consulting ose pranë klientëve dhe bashkëpunëtorëve të e Frost & Fire Consulting pas përfundimit me sukses të praktikës së punësimit.
Në mënyrë që aplikimi të konsiderohet, pjesëmarrësit do të duhet të plotësojnë këto kritere:
1. Të jenë studentë minimalisht të vitit të katërt të Programit të Integruar në Drejtësi, të vitit të fundit në rast se ndjekin programin “Bachelor në Drejtësi”, ose të regjistruar në programet Master Shkencor ose Master Profesional në Drejtësi. Mund të aplikojnë studentë që ndjekin studimet për drejtësi në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë.
2. Duhet të kenë mesatare të ponderuar mbi 8 (tetë). Në rastin e studentëve që ndjekin vitin e parë të studimeve në programet Master Shkencor ose Master Profesional, mesatarja do të llogaritet nga rezultatet e plota të programit Bachelor, si dhe atyre të semestrit të parë të vitit akademik.
Ekipet do të përbëhen nga dy anëtarë, dhe një anëtar rezervë/zëvendësues. Të gjithë anëtarët e një ekipi duhet t’i përkasin të njëjtit universitet. Aplikimi fillestar në formularin e aplikimit më poshtë, bëhet individualisht. Ekipet do të formohen pasi të jenë shqyrtuar aplikimet individuale.
Për të aplikuar klikoni dhe plotësoni formularin në adresën më poshtë: Nxitoni pasi aplikimet mbyllen më ditën e mërkurë, datë 21 Mars 2024, ora 24:00.
Linku i aplikimit:
https://docs.google.com/forms/