Përfundon me sukses Projekti i Departamentit Penal, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, mbi “Aplikimi i Marrëdhënieve Juridiksionale Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, realizuar nga Prof.Asoc.Dr. Jonad Bara, Prof.Asoc.Dr. Jola Bode, Dr.Ela Kerka dhe Dr.Etlon Peppo.

 

Aktiviteti përmbyllës i tij, i organizuar në trajtën e një leksioni të hapur, u mbajt me datë 13.12.2023, me prezencën e pedagogëve, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme dhe studentë të shumtë.

 

Prof.Jonad Bara, risolli në vëmendje të studentëve rëndësinë e institutit të Ekstradimit, dhe se marrëveshjet dypalëshe, Konventa Europiane për Ndihmë të Ndërsjelltë Juridike dhe Protokollet e saj shtesë, parashikojnë një sërë formash bashkëpunimi me autoritetet proceduese të të dyja palëve, konkretisht: dërgimin e letërporosive për marrjen e provave, marrjen në pyetje të të pandehurit përmes lidhjeve audiovizive apo telefonike, asistimit të prokurorëve shqiptarë në ekzekutimin e letërporosive apo në dhënien e ndihmës, apo përfshirjen e tyre në ekzekutimin e këtyre procedurave.

 

Leksioni i hapur u përshëndet dhe nga Z.Gevi Gazheli dhe Z.Erald Baco, nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët prezantuan raste praktike të bashkëpunimit ndërkombëtar midis shtetit shqiptar dhe shteteve të tjera. Ato vlerësuan se ka një bashkëpunim të shtuar me vendet e BE-së dhe vendet fqinje, për vet natyrën emigruese të shtetasve shqiptarë. Një bashkëpunim i intensifikuar strategjik dhe operacional midis Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit Perëndimor dhe organeve dhe strukturave përkatëse evropiane si EUROJUST, EJN dhe Europol, ndodh në përditshmëri dhe duket shumë e natyrshme.

 

Qëllimi final i projektit dhe mesazhi i përcjellë në leksionin e hapur është se “E drejta e individit për liri dhe siguri, është një e drejtë e qënësishme dhe unike, e cila i takon atij si një e tërë. Privimi nga kjo e drejtë, në fokusin e KEDNJ (nenit 5, pika 1/f) lejohet edhe kur individi arrestohet ose ndalohet ligjërisht dhe nëse kundrejt tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradim”.

 

Leave A Comment