Ministria e Drejtësisë dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të
Dhënave Personale, me mbështetjen e Zyrës së UNODC, po organizojnë “Javën e Integritetit
në Shqipëri”, në kuadër të luftës kundër korrupsionit.
Në vazhdimësi të aktiviteteve të tyre, me datë 06.12.2023, u mbajt një takim informues në
ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, me prezencë të pedagogëve dhe studentëve të shumtë.
Prof.Asoc.Dr.Nadia Rusi falenderoi organizimin e këtij takimi të hapur dhe përpjekjet e
institucioneve në ndërmarrjen e nismave sensibilizuese për të luftuar korrupsionin. Ajo
theksoi se integriteti është shtyllë e rëndësishme e shtetit të së drejtës, pa të cilin shërbimi i
ofruar dhe funksionet e ushtruara nuk do të ishin cilësore e demokratike.
Zj.Rovena Pregja, Drejtor i Programeve dhe Projekteve Antikorrupsion pranë Ministrisë së
Drejtësisë, u shpreh se Java e Integritetit është parë si një instrument i rëndësishëm i luftës
kundër korrupsionit. Kjo fushatë është bërë e mundur në sajë të bashkëpunimit me partnerë të
sektorit publik dhe privat, përfaqësues të shoqërisë civile etj., për të nxitur luftën kundër
korrupsionit, por dhe me qëllim evidentimin e masave që janë ndermarrë si dhe strategjive që
do hartohen në këtë drejtim.
Zj.Elona Hoxhaj, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtën e Informimit pranë Komisionerit për
të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale trajtoi në mënyrë të
përmbledhur konceptin e së drejtës së informimit, disa elementë praktikë të ushtrimit të saj
dhe mënyrën sesi kushdo nga ne mund të monitorojë transparencën e administratës
publike.Transparenca e institucioneve si dhe angazhimi i çdo individi për të kërkuar
informacion, për të kërkuar llogari ndaj mënyrës së ushtrimit të funksioneve, etj.,është një
element kyç në luftimin e korrupsionit në rradhët e sektorit publik.
Takimi u përmbyll me përshëndetjen e Zj.Jasna Pekic dhe Z.Koen Marquering, përfaqësuesve
të Zyrës së UNODC(United Nation Office on Drugs and Crime) për Evropën Juglindore, të
cilët bënë një prezantim të shkurtër të Konventës së OKB Kundër Korrupsionit/UNCAC, si
një nga instrumentët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të luftimit të korrupsionit.
189 shtete, ndër të cilat edhe Shqipëria, e kanë nëshkruar Konventën dhe e kanë pjesë të
legjislacionit të brendshëm të tyre. Ato theksuan se praktikat korruptive kushtojnë para.
Perceptimi për ekzistencën e fenomenit të korrupsionit sjell pasoja në shoqëri edhe më shumë
se vetë korrupsioni. Sipas tyre, bashkëpunimi ndërkombëtar luan një rol të rëndësishëm në
luftën kundër korrupsionit. Për ta bërë dhe më të fortë luftën ndaj tij nevojiten të gjithë,
sidomos gjenerata e re/studentët.

 

Leave A Comment