Pershkrimi: 

Nga data 29 Shtator deri më datë 1 Tetor 2023 në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, në Blagoevgrad, Bullgari u zhvillua edicioni i parë i konkursit “Balkan Youth Thinkathon”. Balkan Youth Thinkathon organizohet nga Qendra për Informacion, Demokraci dhe Qytetari dhe Departamenti i Politikës dhe Studimeve Europiane në Universitetin Amerikan në Bullgari në bashkëpunim me Divizionin e Diplomacisë Publike të NATO-s. Qëllimi i kësaj përvoje unike është të promovojë një diskutim rreth NATO-s mes të rinjve në rajonin e Ballkanit, duke pasur një fokus të veçantë në ndërgjegjësimin dhe rritjen e interesit të te rinjve të Ballkanit mbi NATO-n. Ky konkurs solli bashkë 18 të rinj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria dhe Bosnia e Hercegovina, të cilët të grupuar në 6 (gjashtë) skuadra konkurruan me njëri-tjetrin, për hartimin e rekomandimeve me qëllim përmirësimin e diplomacisë publike të NATO-s në kuadër të të rinjve në Ballkan duke përdorur mjete kreative të komunikimit.

 Dy studentet tona, Zhaklinë Meçani dhe Gledia Shehi, ishin pjesëmarrëse në këtë konkurs. Në fund të konkursit, skuadra e tyre rezultoi fituese dhe si pjesë e skuadrës fituese, dy studentet tona janë të ftuara në selinë e NATO-s, në Bruksel për të prezantuar idenë e tyre pranë Divizionit të Diplomacisë Publike të NATO-s.

Rekomandimi i skuadrës së Gledias dhe Zhaklinës, konsistonte në organizimin e një eventi sportiv një-javor që bashkon të rinj nga vendet e ndryshme të Ballkanit. Të rinjtë në këtë event, do të grupohen në skuadra, të cilat do të konkurrojnë me njëra-tjetrën në tri kategori aktivitetesh që përfaqësojnë tre divizionet e NATO-s, përkatësisht Divizionin Paqeruajtës, Divizionin për Përgjigjen ndaj Fatkeqësive dhe Divizionin e Ndihmës Humanitare. Ky kompeticion ndërton një urë midis konkurrencës dhe paqes dhe është i dizenjuar në një mënyrë të tillë që të rinjtë të kënaqen, por edhe të mësojnë mbi misionin e NATO-s. Ideja e skuadrës së Gledias dhe Zhaklinës, në një pjesë të saj fokusohet dhe te reformimi i qasjes së NATO-s ndaj të rinjve në mediat sociale. Ky reformim përfshin publikimin e posteve në platformat e ndryshme online në formën e karikaturave apo në një forme tjetër që është në të njëjtën kohë informative, gazmore dhe tërheqëse për të rinjtë.

 

 

 

 

Leave A Comment