• THIRRJE PËR PRANIM ARTIKUJSH

 

 

Revista “Studime Juridike”, e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, hap thirrjen për dërgimin e artikujve për numrin 2 të revistës për vitin 2023.

Artikujt duhet të dërgohen në adresën elektronike të revistës: revista.juridike@fdut.edu.al.

Afati i fundit për dërgimin e artikujve është  15.10.2023.

 

  • UDHËZIME TË PËRGJITHSHME PËR AUTORËT

 

Revista “Studime Juridike” boton vetëm punime origjinale që pasqyrojnë zhvillimet më të fundit doktrinale, kërkimore-shkencore të Fakultetit të Drejtësisë, në nënfushën e shkencave juridike.

Artikujt duhet të paraqiten në gjuhën shqipe ose në gjuhën angleze.

Autorët mbajnë përgjegjësi për origjinalitetin e materialeve që paraqesin. Autorët do të nënshkruajnë një dokument ku do të vetëdeklarohen mbi origjinalitetin e artikullit. Plagjiatura nuk lejohet.

 

  • ORGANIZIMI I ARTIKULLIT

 

Artikulli duhet të përmbajë elementet e paraqitura më poshtë.

  • Titullin e artikullit;
  • Emrat e autorëve: Duhet të jenë të plotë, të ndiqen nga institucioni ku bën pjesë autori/ët si dhe nga adresa elektronike e të gjithë autorëve.
  • Abstraktin: Abstrakti duhet të jetë 300 fjalë, me formatin e shkrimit Times New Roman 11, hapësira ndërmjet rreshtave 1.15(një pikë pesëmbëdhjetë). Abstrakti duhet të paraqitet në gjuhën angleze, nëse artikulli do të paraqitet në shqip dhe në gjuhën shqipe, nëse artikulli paraqitet në anglisht.
  • Fjalët çelës: Duhet të paraqiten 5-7 fjalë që të pasqyrojnë përmbajtjen e artikullit.
  • Artikullin e plotë.

 

 

  • FORMATI I ARTIKULLIT

 

  1. Artikulli duhet të prezantojë një punë studimore, kërkimore, shkencore dhe të evidentojë elementë të qartë të origjinalitetit.
  2. Artikulli duhet të jetë jo më pak se 10 faqe dhe jo më shumë se 20 faqe kompjuterike, që konvertohen në po aq faqe reviste.
  3. Shkrimi i artikullit duhet të jetë “Times New Roman 11” me “Hapësirë1” dhe i gjithë teksti të jetë “Justified”.
  4. Artikulli duhet të respektojë elementët gramatikorë dhe gjuhësorë dhe të jetë i shkruar me “ë” dhe “ç”.
  5. Çdo shkrim duhet të ketë një strukturë që duhet të përmbajë në mënyrë të detyrueshme elementët e mëposhtëm:
  6. Titulli i artikullit të jetë sintezë e problematikës që ai trajton, i organizuar në mënyrë të qartë dhe të përmbledhur. Titulli të mos jetë më i gjatë se 35 karaktere;
  7. Të vendoset emri i autorit me titujt shkencorë përkatës dhe në fund të emrit të vendoset një referencë (footnote), ku të jepet detyra profesionale aktuale e autorit. Renditja e autorëve duhet të përcaktohet në bazë të kontributit të tyre në rezultatin përfundimtar dhe nëse roli i secilit autor është i njëjtë, ata renditen në rend alfabetik. Renditja e emrave të autorëve kryhet sipas marrëveshjes së tyre dhe jo të revistës;
  8. Poshtë titullit të artikullit dhe emrit të autorit duhet të vendoset Abstrakti. Abstrakti duhet të jetë 300 fjalë, në gjuhën shqipe dhe në anglisht, me formatin e shkrimit Times New Roman 12, hapësira ndërmjet rreshtave 1.15(një pikë pesëmbëdhjetë). Abstrakti duhet të theksojë shkurtimisht qëllimin e kërkimit, metodat, rezultatet kryesore dhe përfundimet. Abstrakti jep dhe një përmbledhje të përmbajtjes së artikullit dhe është një lloj promovimi për artikullin në mënyrë që të tërheqë interesin e lexuesit për tërë artikullin. Duhet të shmangen referencat, citimet, vitet, shënimet në fund, shkurtimet, simbolet e vogla dhe numrat, tabelat ose figurat në abstrakt. Në fund të abstraktit jepen fjalët kyçe. Fjalët kyçe me formatin e shkrimit duhet të jenë Times New Roman 12, hapësira ndërmjet rreshtave 1.15 (5-7 fjalë). Fjalët kyçe janë fjalët që përdoren më shpesh përmes artikullit;
  9. Artikulli duhet të jetë i strukturuar gjithmonë me disa çështje dhe nënçështje në varësi të tematikës që shtron;
  10. Çështja e parë e çdo artikulli duhet të jetë “Hyrja”, në të cilën të jepet qëllimi dhe objektivat që e kanë shtyrë autorin për të shkruar artikullin dhe rëndësia e botimit të tij, parë në këndvështrimin e interesave të Fakultetit të Drejtësisë dhe të praktikës gjyqësore;
  11. Të gjithë titujt e çështjeve të jenë me “Bold” dhe shkrim “Times New Roman 12”. Datat të shkruhen sipas modelit: Data-Muaji-Viti. Titujt e çështjeve do të paraprihen nga numrat 1, 2, 3 etj.;
  12. Të gjithë titujt e nënçështjeve të jenë me shkrim “Italic” dhe “Times New Roman 12” dhe duhet të paraprihen nga numrat 1.1, 1.2, 1.3 etj.;
  13. Në fund të artikullit duhet të vendoset një çështje e posaçme me titull: Sugjerimet apo Konkluzionet;
  14. Konkluzionet duhet të jenë në formatin “Times New Roman 12”, me hapësirë midis rreshtave 1.15, “Justify”. Përfundimi duhet të sigurojë një sintezë të kontributeve kryesore të artikullit, rëndësinë e punës për industrinë dhe/ose shoqërinë dhe të sugjerojë kufizimet e mundshme dhe zgjerimin e kërkimit. Konkluzionet janë pjesa që lexuesi do të mbajë në mendje, prandaj pa të, punimi nuk është përfunduar. Në përfundim ju duhet të përmblidhni gjetjet dhe temat më të rëndësishme të analizuara në artikull. Konkluzioni duhet të jetë konciz dhe jo shumë i gjatë. Një mënyrë e mirë për të shkruar gjetjet është kthimi në qëllimin e artikullit tuaj, jo domosdoshmërisht duke përdorur të njëjtat fjalë dhe lidhjen e pyetjeve kërkimore që keni kërkuar, me konkluzionet që keni arritur. Konkluzionet janë mundësia e fundit për të treguar kufizimet e rezultateve të paraqitura pa theksuar gabimet ose gjykuar punën tuaj. Nuk duhen ndarë rekomandimet nga konkluzionet;
  15. Çdo artikull duhet të ketë të evidentuar edhe bibliografinë. Çdo artikull duhet të ketë të paktën 15 referenca, vepra dhe vendime gjyqësore. Renditja e referencave bëhet sipas rendit alfabetik, me shkrimin “Times New Roman 12”, “Hapësirë 1”, jo bold.

 

 

  • PROCESI I REDAKTIMIT

 

Revista “Studime Juridike” është një revistë me redaktim të fshehtë, ku artikujt e revistës do të jenë pjesë e një procedure të pavarur të shqyrtimit “blind peer review”. Secili artikull ka të paktën dy vlerësues shkencorë. Ky proces do realizohet duke u bazuar në parimin e pavarësisë së vlerësuesve dhe anonimatit të autorëve.

Procesi i vlerësimit merr parasysh faktorë të tillë si rëndësia, rezultatet, analiza, rishikimi i literaturës, origjinaliteti, lexueshmëria dhe cilësia e gjuhës. Rezultatet e mundshme të procesit të vlerësimit përfshijnë pranimin, pranimin pas rishikimeve ose refuzimin e artikullit.

 

Për më tepër informacion rreth kritereve teknike të artikullit, ju lutem drejtohuni ne faqen e webit të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në Rubrikën e kushtuar Revistës Shkencore, në linkun: https://fdut.edu.al/rregullorja-e-revistes/, ku gjendet dhe udhezuesi për autorët.

Leave A Comment