NJOFTIM

Në kuadër të bashkëpunimit me universitetet europiane, Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës filloi  për të tretin vit radhazi programin e shkëmbimit “Rrjeti Lindje-Perëndim” – NOW 2023 (Netzwerk Ost-West) me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Humboldt të Berlinit.
Kohëzgjatja e programit është dy javë, nga data 7 Gusht deri në 20 Gusht 2023 dhe tematika e zgjedhur për këtë vit është: “Mbrojtja e të Drejtave Themelore të Njeriut në Shqipëri dhe Gjermani – historiku ligjor, vazhdimësia dhe perspektivat e ardhshme”. Çështje që përfshin tematika do të zhvillohen hollësisht nëpërmjet prezantimeve që do të kryhen nga studentët pjesëmarrës shqiptarë dhe gjermanë të të dy fakulteteve, të cilët janë ndërthurur në çift për nëntema të paracaktuara.

Në ditën e parë të programit, 7 gusht 2023 u zhvillua një takim prezantues në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Zv.Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Dr. Erjon Muharremaj u uroi mirëseardhjen kolegëve gjermanë në emër të dekanatit të FDUT dhe bëri një prezantim historik të së shkuarës së Shqipërisë dhe ecurinë aktuale të saj në raport me mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. U theksua që objektivat e programit, përveç prezantimeve tematike që kërkojnë një punë kërkimore të lehtë, synojnë në shkëmbimin e kulturës, njohjen e historisë së dy vendeve dhe krijimit të një përvoje unike përmes shoqërimit të përbashkët të të rinjve pjesëmarrës, studentë të drejtësisë.

Në vijim, lektoria e ftuar e FDUT, Msc. Alma Bela, u uroi gjithashtu mirëseardhjen kolegëve gjermanë dhe dha udhëzimet e nevojshme mbi mënyrën e prezantimit të punës kërkimore të studentëve pjesëmarrës. Një prezantim të profilit të tyre përcollën edhe mentorët e palës gjermane, Znj. Franziska Duda dhe Znj. Luise Wöllner. Hapësira për t’u prezantuar dhe për të shprehur pritshmëritë mbi programin NOW 2023 iu dha të gjithë pjesëmarrësve, duke filluar nga organizatorët e palës shqiptare, Vjosana Bashi dhe Rei Zoto, për të vijuar me gjithë studentët e tjerë.


Pas takimit prezantues, programi i ditës së parë vijoi me vizitën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku studentët u mirëpritën Sekretari Shkencor, Z. Shaban Sinani. Pas fjalës së mirëseardhjes, Z. Sinani i ftoi pjesëmarrësit në ambientet e Qendrës së Librit Akademik, ku studentët u njohën me botimet shkencore të Akademisë. Në një tryezë të përbashkët në sallën “Akademikët”, Z. Sinani shpjegoi për të gjithë pjesëmarrësit historikun e ndërtesës që ka shërbyer për funksione të ndryshme publike përgjatë viteve, si edhe përmbajtjen dhe strukturën e Akademisë. Një pikë e rëndësishme e diskutimit ishte për rëndësinë e statuteve të hershme dhe kanuneve kryesore në historinë e Shqipërisë. Dr. Erjon Muharremaj shpjegoi për kolegët gjermanë se si kanunet kryenin funksionin e ligjeve të sotme dhe ndikonin në organizimin dhe funksionimin e shoqërisë. Ndikimi i kanuneve dhe statuteve të kohës u përshkrua në mënyrë të detajuar, me përqendrim te rregullat mbi trashëgiminë dhe pronësinë në mënyrë të veçantë. Krahas vëmendjes dhe interesit të studentëve shqiptarë, u shfaq hapur dhe dëshira nga studentët pjesëmarrës gjermanë për të mësuar detaje mbi disiplinat e ndryshme prej nga vinin anëtarët e Akademisë së Shkencave, veprimtarinë që kjo Akademi kryen dhe proceset vendimmarrëse të saj.

Në fund, pjesëmarrësit vizituar ambientet e brendshme të godinës kryesore, përfshirë Sallën “Aleks Buda”, ku zhvillohen aktivitetet shkencore dhe kulturore të Akademisë së Shkencave.

Në vijim, programi i përgatitur me kujdes nga organizatorët e palës shqiptare, Vjosana Bashi dhe Rei Zoto, përfshin vizitën studimore në Zyrën e Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, vizita në Muzeun Historik Kombëtar dhe në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, si edhe aktivitete të tjera informuese dhe argëtuese.

Leave A Comment