Me datë 15.02.2023, në mjediset e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, u organizua “Agora humane institucionale”, mbi Etikën Digjitale si standard i institucionit akademik të digjitalizuar.
16 Shk
2023
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit me të njëjtin emërtim të mbështetur nga AKKSHI. Drejtuesja e këtij projekti, Prof.Asoc.Dr Majlinda Keta ofroi për personelin ndihmës akademik dhe administrativ, një historik të shkurtër të angazhimit për etikën universitare në përgjithësi dhe atë digjitale në veçanti, duke u fokusuar dhe tek ecuria e Fakultetit të Drejtësisë në këtë aspekt.
Dekania e Fakultetit, Prof.Asoc.Dr. Dorina Hoxha shprehu mirënjohjen e saj për iniciativën dhe rezultatet e arritura si dhe angazhimin e drejtuesve të këtij fakulteti në mbështetje të këtij projekti.
Prof.Keta përshkroi shumëllojshmërinë e komunikimeve institucionale të realizuara nga projekti me të gjithë aktorët dhe faktorët e UT-së. Theksi u vu tek metodologjia e studimit mbi “Etika digjitale dhe UT-së” dhe rezultatet e para nga të dhënat e përpunuara për Fakultetin e Drejtësisë, duke i parë në nivel krahasues me të dhëna të fakulteteve të tjera dhe ato në nivel universiteti.
Drejtuesja e projektit, vlerësoi që gjatë zbatimit të këtij projekti janë krijuar ura bashkëpunimi dhe komunikimi me komunitetin e madh të UT, të cilat do të shërbejnë për plotësimin e nevojave për përmirësimin e infrastrukturave dhe programeve digjitale në njësitë tona, sikurse dhe ndërmarrjen e kualifikimeve të brendshme për personelin akademik dhe atë administrativ.