Më datë 21 Dhjetor 2022, Departamenti Publik i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, organizoi Konferencën Shkencore Kombëtare në kuadrin e zbatimit të projektit kërkimor “Zhvillime të së drejtës administrative dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese”.

Konferenca solli së bashku personelin akademik të Fakultetit të Drejtësisë dhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme të së drejtës, si Gjykata Kushtetuese, Kuvendi, përfaqësues nga Universiteti i Prishtinës, etj. për të prezantuar dhe diskutuar mbi çështje të zhvillimit të së drejtës publike dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Prof.Asoc.Dr.Dorina Hoxha, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, theksoi se: “Ky aktivitet vjen si përmbyllje e punës 1 vjeçare të realizuar me sukses nga Departamenti i së Drejtës Publike i Fakultetit të Drejtësisë, në kuadër të projektit “Zhvillimi të së drejtës administrative dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese”. Finalizimi i këtij projekti përkon dhe me 30 vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese. Mund te themi me bindje që kjo gjykatë është kthyer në një fabrikë të prodhimit të së drejtës për shkak të natyrës dhe rolit të saj në interpretimin e fundit të normës kushtetuese”.

Konferenca u përshëndet nga Zj.Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, e cila përgjatë fjalës së saj vlerësoi realizimin e veprimtarive të shtuara mes Gjykatës Kushtetuese dhe Departamentit të së Drejtës Publike të Fakultetit të Drejtësisë. Znj. Tusha mes të tjerash theksoi se: “Çdo vendim i dhënë nga organet gjyqësore të brendshme apo të huaja, çdo shkrim i botës akademike, qasjet e doktrinës, janë në vëmendje të Gjykatës Kushtetuese. Kjo konferencë, por edhe konferencat e mëparshme të organizuara nga Fakulteti i Drejtësisë, të cilat kanë patur në fokus Gjykatën Kushtetuese, shërbejnë për të vënë në pah punën e Gjykatës Kushtetuese dhe pritshmëritë ndaj saj …”.

E organizuar me një panel, konferenca ofroi një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve të së drejtës publike në tërësi, me vëmendje të veçantë në të drejtën kushtetuese, administrative, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke sjellë tematika interesante, si:

  • Ndikimi i jurisprudencës kushetuese në racionalizimin e ligjbërjes;

  • Dilema kushtetuese mbi delegimin e pushtetit normativ e nënligjor;

  • Roli i Gjykatës Kushetuese të Kosovës në zhvillimin e së drejtës;

  • Institucioni i Presidentit të Republikës në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese

  • Institucionet e pavarura në jurisprudecën e Gjykatës Kushtetuese;

  • Parimi i proporcionalitetit në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

  • E drejta për respektimin e jetës private dhe mbrojtjen e të dhënave personale gjatë veprimtarisë së administratës publike në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

  • E drejta për një proces të rregullt ligjor në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese

  • Kontrolli kushtetues i akteve nënligjore normative

  • Roli i Gjykatës Kushtetuese në zhvillimin e së Drejtës-qasje krahasuese e sfidave të Gjyqtarit Kushtetues, etj.

Në përfundim të konferencës pjesëmarrësit dhe studentët diskutuan dhe ngritën pyetje mbi çështje të trajtuara gjatë zhvillimit të saj.

Ky projekt do të përmbyllet me botimin e punimeve të konferencës, si një dokumentim i punëve të përgatitura. Botimi do të shpërndahet tek të gjithë aktorët e përfshirë në konferencë, por jo vetëm, tek institucionet shtetërore, studentët, si dhe grupet e interesit në vend.

Leave A Comment