Hapet thirrja për praktikën 3 mujore profesionale pranë EMA-s për periudhën: shtator-dhjetor 2022

Praktikantët e përzgjedhur do të ndihmojnë stafin në disa fusha si: kërkimi dhe hulumtimi, zbatimi i projekteve të ndryshme, angazhimi në aktivitete, menaxhimi i mediave sociale, shkrimi i artikujve të ndryshëm për EuroSpeak, mbështetje administrative dhe detyra të tjera në varësi të interesit të vetë aplikantes apo aplikantit.

Çfarë përfiton një praktikant/e te EMA?

– Do të njihet nga afër me aktivitetin dhe disiplinën e punës brenda një organizate të shoqërisë civile

– Do të fitojë eksperiencë në shkrim të artikujve dhe hulumtim në gjuhët shqip dhe anglisht

– Do të përfshihet në nismat dhe aktivitetet e zhvilluara nga EMA dhe nga partnerët e saj në vend dhe rajon

– Do të ketë qasje të lirë për të përdorur dokumentet dhe botimet në bibliotekën e EMA të cilat janë një mundësi e mirë për të pasur njohuri më të thella sa i përket Procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë dhe politikave të BE-së

– Do të ketë mundësinë për të njohur e për të bashkëpunuar me Rrjetin Ndërkombëtar të Lëvizjes Europiane

– Do të rrisë kontaktet me organizata e aktorë të tjerë, duke rritur mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës së tij/saj profesionale

– Në fund të praktikës së realizuar me sukses për periudhën 3-mujore do të pajiset me Certifikatë Praktike, dhe Letër Rekomandimi (nëse kërkohet).

Si dhe kur mund të aplikohet?

Mirëpresim në një nga gjuhët shqip apo anglisht Shprehjen tuaj të Interesit dhe CV në adresën: info@em-al.org brenda datës – 19 gusht 2022

Theksojmë që periudha e praktikës është 3 muaj, nga e hëna në të premte për 4 orë. Në raste kur praktika ndërpritet në mes për arsye jo-madhore dhe pa njoftim paraprak, praktikanti/ja nuk përfiton Certifikatën dhe Vërtetimin e Praktikës.

 

 

Leave A Comment