“E drejta ndërkombëtare e mjedisit”

NJOFTIM

 

Në datën 8 gusht 2022, në mjediset e FDUT u mbajt takimi  i parë prezantues i programit të shkëmbimit “Rrjeti Lindje-Perëndim” (Netzwerk Ost-West) midis Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Berlinit.  Programi i këtij viti fokusohet mbi temën “E drejta ndërkombëtare e mjedisit”. Studentët janë të ndarë në grupe me nga dy pjesëmarrës, një shqiptar dhe një gjerman, të cilët duhet të prezantojnë një nëntemë të caktuar: roli i së drejtës ndërkombëtare publike në mbrojtjen e mjedisit; ndryshimet klimatike, paqja dhe siguria ndërkombëtare etj.

 

Fjalën hyrëse e mbajti Zv. Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, njëkohësisht edhe lektor i programit nga pala shqiptare, Dr Erjon Muharremaj, i cili u uroi mirëseardhjen kolegëve gjermanë në emër të dekanatit të FDUT dhe bëri një prezantim të përgjithshëm të zhvillimeve më të rëndësishme të së drejtës ndëkombëtare dhe specifikisht asaj mjedisore. Pedagogia e ftuar e FDUT, Znj. Alma Bela mbajti fjalën e saj për vazhdimësinë e programit dhe mënyrën e prezantimit të punës kërkimore nga ana e studentëve. Takimi vazhdoi me fjalën e mbajtur nga dy koleget gjermane dhe njëkohësisht lektore të palës gjermane, Zj.Johanna Mittrop dhe Zj.Nora Hertz.

 

Dita e parë e takimit vazhdoi me programin e aktiviteteve të realizuar nga dy organizatoret shqiptare, Sara Buba dhe Samanda Kortoçi. Pas një vizite informative në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, u zhvillua një takim i i koordinuar nga Zj. Alma Bela në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku kancelari Z. Ruzhdi Kuçi informoi studentët mbi rolin e Akademisë dhe historinë e saj.

Programi do të vijojë sipas kalendarit të aktiviteteve të dakordësuar midis dy fakulteteve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *