Roli i teknologjisë në parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, krimeve financiare dhe korrupsionit
Prezenca e OSBE-së ka mbështetur konferencën akademike rreth rolit të teknologjisë në parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Së bashku me Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe Centro Studio, Alta Formazione e Ricerca Italo-Albanese – CEMAS pranë Universitetit Sapienza të Romës, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi në datë 21 qeshor 2022, një Konferencë Akademike Ndërkombëtare me temë “Roli i teknologjisë në parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, krimeve financiare dhe korrupsionit”.
Çështjet e trajtuara në konferencë përfshinin zhvillimet teknologjike dhe të drejtën penale, metodologjinë shkencore dhe çështjet penale, analizën kriminologjike dhe rolin e teknologjisë në parandalimin e krimit. Këto tema u diskutuan në një mënyrë mjaft aktive prej më shumë se gjashtëdhjetë akademikëve dhe studiuesve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, avokatëve mbrojtës dhe përfaqësuesve të agjencive ligjzbatuese, si dhe aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët merrnin pjesë në konferencë.
Në fjalën e mbajtur në konferencë, Dekania e Fakultetit Juridik, Prof. As. Dr. Dorina Hoxha tha se panorama e krimit të organizuar ka ndryshuar në mënyrë drastike vitet e fundit dhe kjo për shkak të përparimeve të teknologjisë. “Me qëllim që të luftohet efektivisht krimi i organizuar, i mundësuar edhe nga teknologjia, sigurisht që organet ligjzbatuese e më gjerë duhet te përqafojnë vetë teknologjinë. Inovacioni teknologjik ka qenë një nga forcat kryesore që çon në përmirësimin e vazhdueshëm të strategjive të kontrollit, goditjes dhe parandalimit të krimit. Nisur nga kjo, është një detyrim ligjor për të marrë në konsideratë se si zhvillimet teknologjike bashkëkohore mund të ndihmojnë në këtë mision”, tha ajo.
Kreu i Departamentit të Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut të Prezencës së OSBE-së, Cailean Maclean theksoi si më poshtë: “Zhvillimi aktual i teknologjive të reja dhe veçanërisht përparimet e jashtëzakonshme në fushën e Inteligjencës Artificiale ngrenë shumë pyetje. Këto pyetje lidhen me ndikimin e këtyre të fundit në sistemin e drejtësisë penale në të ardhmen, si dhe me ndihmën dhe përparimet që mund të ofrojnë algoritmet në luftën kundër krimit”. “Prezenca e mbështet shtetin shqiptar për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm socio-ekonomik dhe përmirësimin e klimës së investimeve duke nxitur transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale”, tha më tej ai.
Në konferencë u trajtuan risitë e lidhura me përdorimin e teknologjisë në parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, krimeve financiare dhe korrupsionit, si dhe analizën shkencore mbi hetimin dhe proceset gjyqësore penale. Konferenca përfundoi me një sërë gjetjesh dhe rekomandimesh, që do t’i paraqiten më pas autoriteteve shqiptare për trajtim të mëtejshëm. Konferenca u organizua në kuadër të projektit të Prezencës “Për krijimin e një programi Master në Kriminologji”, i mbështetur financiarisht nga Misioni i Shteteve të Bashkuara në OSBE, Ambasada Britanike në Tiranë dhe Qeveria Italiane.
Leave A Comment