Kontrolli i Lartë i Shtetit kremton në datën 25 maj 2022, 97-vjetorin e themelimit të tij si institucioni më i lartë i auditimit publik. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) u krijua si strukturë e plotë 13 vite pas themelimit të shtetit të parë shqiptar, në vitin 1925.

Me rastin e këtij përvjetori, KLSH do të organizojë aktivitetin “Java e hapur për publikun”. Duke nisur nga data 23 deri më 27 maj 2022, ora 10:00-14:00, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të jetë i hapur për të pritur qytetarë, studentë, profesionistë të fushave të ndryshme apo institucione, për t’i njohur me historikun e institucionit, arritjet e bëra ndër vite, prezantimin e rezultateve të punës audituese, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për rolin e KLSH-së.

Aktiviteti i “Javës së hapur për publikun” do të zhvillohet në mjediset e KLSH-së. Specialistë të institucionit si dhe auditues do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të “Javës së hapur për publikun” për të komunikuar me çdo pjesëmarrës në këtë aktivitet.

“Hapja” e institucionit për publikun është një traditë e nisur që në vitin 2016 në KLSH, me qëllim rritjen e transparencës dhe komunikimit me të gjitha grupet e interesit.

Studentë të universiteteve të ndryshme ftohen të marrin pjesë në aktivitetin e “Javës së hapur për publikun”, për t’u njohur edhe me botimet e institucionit ndër vite.

Leave A Comment