Në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale, me datë 14.04.2022, në ambjentet e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, u mbajt një leksion i hapur “Mbi zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale” nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, Drejtoria e te Drejtave te Autorit në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Zv.Dekania, Prof.Iva Zajmi, pasi përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti, vlerësoi rëndësinë e Pronësisë Intelektuale dhe rolin e institucioneve në garantimin dhe mbrotjen e saj. Drejtoresha e Koordinimit, Promovimit, Trajnimit dhe Analizës pranë DPPI, Znj.Maria Solis, paraqiti përpara studentëve një prezantim mbi Pronësinë Intelektuale, rëndësinë dhe prioritetin që po merr për shpikësit, krijuesit dhe sipërmarrësit e rinj. Znj Solis trajtoi më pas dhe dy degët e mëdha të saj: Pronësinë Industriale dhe të Drejtën e Autorit.

Pjesë e panelit ishte dhe Përgjegjësja e Pronësisë Intelektuale pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Znj.Rezarta Rajtja. Znj.Rajtja u shpreh se ky institucion është përgjegjës për inspektimin në fushën e sigurisë së produkteve jo ushqimore për përdorim nga konsumatorët dhe fushën e pronësisë intelektuale. Përveç rolit të këtij institucioni në marrjen e masave administrative për shkelësit e të drejtave, ajo theksoi se janë vetë mbajtësit e të drejtave që vënë në lëvizje organin administrativ.

Përfaqësuesi i Sektorit të Monitorimit pranë Drejtorisë së Pronësisë Intelektuale, solli në vëmendje të studentëve procedurën e rregjistrimit të një vepre artisitike. Ai theksoi se ka mangësi në aktet nënligjore në fuqi, në drejtim të krijimit të një strukture me personalitet juridik të pavarur që do të bëjë të mundur administrimin kolektiv të së drejtës së autorit. Aktualisht ky funksion mbulohet nga Sporteli Unik SUADA.

Leksioni i hapur i mbajtur në Fakultetin e Drejtësisë, ishte një mënyrë e promovimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të studentëve mbi rëndësinë e pronësisë intelektuale. Ai zgjoi interesin e studentëve per pronësinë intelektuale dhe problematikat me të cilat ajo ndeshet.

 

 

 

 

Leave A Comment