Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në kuadër të zbatimit të projektit “Zhvillimi i kontratave kolektive dhe mbrojtja efektive e punëmarrësve shqiptar. Ndërgjegjësimi i komunitetit mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit” financuar nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipëria” ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues dhe aktivistë që operojnë në sektorët e call center, fasonerisë, naftëtarët. Me datë 14.06.2021, u zhvillua takimi me përfaqësuesit e Sindikatës Kombëtare të Call Centër-ave në Shqipëri dhe operatorëve të saj, Z. Dorald Ulqinaku dhe Z. Eduart Janaqi, që sollën një panoramë të plotë mbi problematikat që lidhen me kohëzgjatjen dhe shpërblimin e punës, sigurisë dhe kujdesit shëndetësor dhe rolin e Inspektoriatit të Punës. Përfaqësuesit e sindikatës së call-centër informuan të pranishmit mbi iniciativat dhe sfidat për nënshkrimin e kontratës kolektive me qëllim mbrojtjen efektive të punëmarrësve në këtë sektor. Një takim mjaft i dobishëm për studentët dhe stafin akademik të FDUT-së ishte takimi i zhvilluar me datë 30.06.2021 me znj. Raimonda Gurakuqi, aktiviste në fushën e fasonerisë e cila informoi të pranishmit mbi vështirësitë e përditshme që hasin punëmarrësit në këtë sektor dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit të punëmarrësve për ushtrimin e të drejtave të tyre. Së fundmi, me datë 19.07.2021, z. Dritan Shahu, anëtar i Sindikatës së Naftëtarëve në Shqipëri informoi të pranishmit mbi problematikat e shkaktuara nga pandemia Covid 19 në të drejtat e naftëtarëve, dobitë e lidhjes së kontratave kolektive dhe veçoritë e punës së naftëtarëve. Z. Shahu vuri theksin tek kontrata e fundit kolektive e lidhur nga SRNSH në fund të vitit 2019 që ka mundësuar një rritje prej 20 % të pagës për pothuajse 80 përqind të punëmarrësve, përfitimin e një diete për antidopet, kontrolle shëndetësore, etj. Këto takime do të shërbejnë si busull në hartimin e pyetësorëve që do të shpërndahen tek punëmarrësit me qëllim evidentimin e problematikave konkrete, rëndësinë e nënshkrimit të kontratës kolektive dhe rolin e sindikatave. Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, falë ekspertizës së stafit akademik dhe studentëve të tij synon të jetë aktor në ndërgjegjësimin e punëmarrësve dhe në ofrimin e strumentave konkretë për mbrojtjen efektive të të drejtave të punëmarrësve që operojnë në sektor të rëndësishëm në vend.
Leave A Comment