Platforma Prof. Dr. Kozeta Sevrani

Platforma Prof. Dr. Mimoza Hafizi
July 17, 2020
Mbi procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës
July 21, 2020
Platforma Prof. Dr. Kozeta Sevrani

Të nderuar kolegë të Universitetit të Tiranës,

Duke e konsideruar Universitetin e Tiranës institucionin elitar të krijimit dhe ofrimit të dijeve, promovimit të vlerave dhe përqafimit të ideve inovative, vendosa të kandidoj për pozicionin e Rektorit të UT-së, me qëllimin, vizionin dhe bindjen për ta zhvilluar dhe forcuar më tej rolin dhe misionin që ky institucion ka në jetën shoqërore, kulturore dhe politiko-ekonomike të vendit.

E nisa rrugëtimin tim në vitin 1979 si studente pranë këtij universiteti, për të vijuar formimin akademik dhe profesional si Doktore në Informatikën e Zbatuar (1997), Profesore e Asociuar (2005) dhe Profesore (2011). Ky zhvillim profesional dhe personal, është përfaqësim i vlerave morale, etike dhe shoqërore të familjes time, të cilat u përpoqa t’i kultivoj në variantin më të pastër tek të gjithë studentët dhe kolegët në 36 vite veprimtari akademike dhe shkencore pranë UT-së dhe institucioneve të tjera.

Departamenti “Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar” (FEUT), në krye të të cilit kam qenë për 10 vite, numëron deri më sot rreth 1500 studentë, nga të cilët rreth 100 janë bërë pjesë e programeve të këmbimit. Kjo ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të departamentit me universitete Europiane në 16 projekte ndërkombëtare, duke e bërë departamentin në fjalë ndër më të suksesshmit në UT.

Në vitet e fundit, angazhimeve të mia i janë shtuar detyrat si Kryetare e Këshillit të Statistikave të Shqipërisë dhe si Kryetare e Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik, i miratuar nga Senati i UT-së. Këto eksperienca më kanë ndihmuar ta shikoj UT-në në një këndvështrim tjetër.

Universiteti i Tiranës, në historinë e tij më shumë se 60 vjeçare, ka ecur paralelisht me zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore në vend, pa llogaritur zhvillimet teknologjike. Nevoja për t’u zhvilluar në kushtet e tregtisë së lirë dhe konkurrencës, e ka bërë Universitetin një institucion që i drejton përpjekjet e tij thjesht për t’u përshtatur më shumë sesa për të qënë prijës i inovacionit.

Ëndrra për t’u integruar në Bashkimin Europian ridimensionoi konceptin e pedagogëve, studentëve dhe vendimmarrësve në këtë fushë, për lirinë dhe autonominë akademike. Kjo u reflektua në disa zhvillime ligjore, organizative dhe institucionale që lidhen me Arsimin e Lartë në Shqipëri, por drejtimi i një universiteti duhet të shoqërohet me vizion dhe të shkojë përtej përmbushjes së standardeve, që të mund të ofrojë vlerë të shtuar dhe ekselencë.

Ju ftoj të gjithëve t’i bashkoheni platformës për drejtimin e UT-së me vizion dhe integritet, në mënyrë që të gjithë ju, pedagogë dhe studentë, të identifikoheni me universitetin tuaj, Universitetin e Tiranës, për të ndërtuar profilet personale dhe profesionale. Le të lartësojmë sëbashku vlerat e universitetit, një universitet që mbështet meritokracinë, ofron gjithëpërfshirje dhe diversitet, nxit kërkimin shkencor dhe motivon të talentuarit.

Platforma e propozuar për zhvillimin e UT-së përbën një draft, i cili do të marrë formë përfundimtare pas marrjes në konsideratë të sugjerimeve apo vërejtjeve të stafit akademik dhe mbështetës, studentëve, qytetarëve apo çdo strukturë tjetër publike ose private e interesuar për mbarëvajtjen e UT-së, si tempull i përgatitjes së brezave të ardhshëm. Në përfundim, kjo platformë nuk do të mbetet thjesht një premtim, por do të jetë plani konkret i punës nën drejtimin tim në 4 vitet e ardhshme. Ajo do të ndiqet nga kordinatorë të posaçëm për secilën nga tetë shtyllat e propozuara.

Ndaj sot, ndiej përgjegjësinë për të kandiduar, 

 

    së pari për t’ju dhënë një alternativë për një të ardhme më premtuese, 

         së dyti për t’u bërë të gjithë bashkë pjesë në krijimin e një institucioni elitar e bashkëkohor dhe 

               së treti për të sjellë një ndryshim në mendësinë e drejtimit të tij për herë të parë nga një grua.

Kliko këtu -> Draft-platforma_KS_UT2020

Kliko këtu -> Kozeta Sevrani CV_July 2020