Të nderuar kolegë dhe miq,
Është kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe për mua të prezantohem si kandidat për Rektor i Universitetit të Tiranës. Ky vendim ka ardhur si rezultat i një procesi të gjatë reflektimi, me dëshirën dhe vullnetin për të kontribuar në realizimin e misionit të arsimit të lartë dhe rikthimin e UT-së në një universitet elitar që përballet me sfidat e zhvillimit dhe ato të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
UT ka qenë gjithnjë pararojë e zhvillimeve duke pasur një ndikim të padiskutueshëm në mbrojtjen dhe përparimin e arsimit të lartë në vend, e duke mbajtur denjësisht statusin e universitetit që ofron standardet më të larta në përmbushjen e misionit të tij.
Gjatë këtyre 4 viteve jemi përballur me sfida të njëpasnjëshme të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së autonomisë funksionale, akademike dhe të kërkimit shkencor për shkak të sjelljes së vazhdueshme bazuar në mentalitetin centralizues të drejtimit të institucionit nga rektori i universitetit. Kjo situatë ka sjellë konflikte të vazhdueshme institucionale të strukturave të UT-së dhe drejtimit të tij, duke sjellë pasoja direkte në funksionimin normal deri në rrezikimin e procesit të akreditimit të institucionit.
Të nderuar kolegë, unë besoj fort se bazat më të forta e më të shëndosha për të ringritur në këmbë shtëpinë më të madhe të arsimit të lartë në vend, që është edhe shtëpia jonë e përbashkët janë: Kolegjialiteti, Ndërkombëtarizimi dhe Transparenca. Mbi këto tre shtylla është mbështetur edhe platforma që ju ofroj, për të cilën mbetem i hapur të përfshij kontributet dhe sugjerimet tuaja gjatë takimeve të drejtpërdrejta si edhe në rrugë elektronike.
JU, me punën dhe përkushtimin tuaj jeni aseti më i vyer i institucionit tonë, i cili së bashku me studentët që për fatin tonë janë edhe më cilësorët në vend, krijon mundësi të pafundme për zhvillim dhe përsosje të veprimtarisë së universitetit. Komunikimi dhe bashkëpunimi mes nesh, forcimi i zërit tuaj në vendimmarrjet kolegjiale, respektimi i autonomisë së brendshme dhe krijimi i kushteve për rritjen dhe zhvillimin tuaj profesional, do jenë ato që do drejtojnë punën time në interes të së mirës sonë të përbashkët. Ne do të përdorim çdo hapësirë të ofruar nga korniza ligjore dhe aktet tona rregullative për të mbrojtur dinjitetin dhe krijimin e kushteve optimale për zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit të Tiranës në realizimin e misionit të tij.
Po ju njoh me platformën e detajuar (klikoni në rubrikën ‘Platforma’ që gjendet më poshtë), e ndërkohë do nisim së bashku edhe takimet e organizuara (sipas kalendarit bashkëngjitur), duke respektuar protokollet e sigurisë ndaj COVID-19. Ai është një program që pres t’i jap formën finale në bashkëpunim me secilin prej jush. Për mua është thelbësore të planifikojmë së bashku rrugën e UT-së në 4 vitet e ardhshme dhe strategjinë e zhvillimit afatgjatë të tij, ndaj me përulje, gjatë javëve në vazhdim kërkoj mendimet dhe sugjerimet tuaja për realizimin e një programi solid dhe të sigurt në suksesin e tij.
Më lejoni së fundmi, t’u uroj suksese të gjithë kolegëve që kandidojnë për organet dhe autoritetet drejtuese të Universitetit të Tiranës.
Sot ju kërkoj të nisim bashkë rrugën në respekt të traditës dhe sukseseve të dhjetëra mijëra pedagogëve dhe studentëve, për t’i dhënë UT-së vendin që i takon në arenën universitare brenda dhe jashtë vendit.
Kliko këtu ->Platforma |
|
|
Leave A Comment