Fakulteti i Drejtësisë organizoi Tryezën me temë ‘Zbatimi i reformës në lidhje me arsimin juridik, edukimin ligjor dhe ndihmën juridike’, ku u prezantuan gjetjet dhe konkluzionet e studimit të realizuar nga pedagogë dhe studentë të FDUT. Takimi shërbeu si një forum i hapur diskutimi midis përfaqësuesve nga Parlamenti, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit, Gjykata e Tiranës, Shkolla e Magjistraturës, Dhoma e Avokatisë, drejtues dhe pedagogë nga disa fakultete juridike në vend, si edhe nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit diskutuan fillimisht mbi sfidat që ndeshen në praktikë për zbatimin e kuadrit ligjor për ndihmën juridike dhe masat e nevojshme me karakter ligjor, institucional dhe ndërgjegjësues për ofrimin efektiv të ndihmës tek qytetari. Takimi vijoi me gjetjet dhe rekomandimet për zbatimin e reformës në arsimin juridik dhe edukimin ligjor të publikut. Përfaqësues nga universite shtetërore dhe private ngritën shqetësimin për moszbatimin e dispozitave ligjore për programin e integruar pesëvjecar në të gjitha fakultetet juridike në vend. Ecuria e reformës në lidhje me shkollën e magjistraturës, shkollën e avokatisë dhe noterisë ishin tema që nxitën debat midis pjesëmarrësve. Një vlerë e shtuar e takimit ishte prania e studentëve të përfshirë në projekt, që ndanë përvojën e tyre në lidhje me angazhimin në projekt dhe prishmëritë mbi reformën në drejtësi.
Aktiviteti u organizua në kuadër të Projektit ‘Monitorimi i Reformës në Drejtësi’, që zbatohet nga Fakulteti i Drejtësisë, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Raporti i plotë dhe një përmbledhje e tij në lidhje me monitorimin për periudhën Mars- Korrik 2019 gjendet në webin e Fakultetit të Drejtësisë ne faqen:https://fdut.edu.al/…/Raport-Monitorimi-i-Zbatimit-t%C3%AB-R…