Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, organizoi në datën 23.04.2019 një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë të këtij Fakulteti. Fokusi i bashkëbisedimit ishin reformat e ndërmarra në kuadër të pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe respektimit të të drejtave themelore (Kapitulli 23 i legjislacionit të BE). Ky takim u organizua në kuadër të veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian në nxitje të debatit gjithëpërfshirës me grupet e interesit mbi hartimin dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit në përputhje me detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Takimi u hap nga Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Prof.Dr. Artan Hoxha i cili u ndal te reforma në drejtësi dhe rëndësia e saj në avancimin e axhendës europiane të vendit. Dekani theksoi se mendimi akademik shkencor ndihmon procesin e integrimit europian të vendit i cili për të qenë cilësor ka nevojë të jetë sa më gjithëpërfshirës.

Gjatë fjalësë së tij përshëndetëse Z. Taulant Balla Zv. Kryetar i Këshillit, shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij takimi me studentë e pedagogë dhe theksoi se tematika e takimit është përzgjedhur jo vetëm për shkak të rëndësisë madhore të çështjeve që përfshihen në kapitullin 23 të legjislacionit të BE si pavarësia e sistemit të drejtësisë, respektimi i të drejtave themelore, lufta ndaj korrupsionit, por edhe për shkak të rëndësisë të bashkëbisedimit mbi këto çështje me pedagogë e studentë të ekselencës të Fakultetit të Drejtësisë me qëllim marrjen e sugjerimeve të tyre për përmirësimin e mëtejshëm të zbatimit të detyrimeve në kuadër të këtij kapitulli. Z. Balla nxiti pjesëmarrësit të diskutojnë hapur, dhe theksoi se pakti i nisur me Universitetin me studentët dhe profesoratin e nderuar duhet të shtrihet sa më shumë. “Dëshiroj t’ju ftoj që në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian një përfaqësi e juaja të jetë e pranishme për ti ndjekur nga afër këto takime, sikurse për të ndjekur diskutimet që zhvillojmë çdo ditë qoftë në komisione apo seancë plenare”, u shpreh Balla.

Zv. Kryetarja e Kuvendit Znj. Vasilika Hysi vuri theksin te ekspertiza dhe kontributi shumë i vlefshëm i ofruar nga pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë në kuadër të reformës në drejtësi dhe të hartimit të një sërë ligjesh të rëndësishme. Znj. Hysi nënvizoi se Kuvendi është gjithmonë i hapur për kontributin e pedagogëve dhe studentëve të ekselencës, si në drejtim të procesit të ligjbërjes, të edukimit ligjor edhe të mbikqyrjes së veprimtarisë së institucioneve qendrore, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit europian. Znj. Hysi inkurajoi angazhimin aktiv të studentëve në veprimtarinë e Kuvendit nëpërmjet programeve të internship-eve, ndjekjes së punës së Komisioneve të përhershme parlamentare dhe të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europianku ekspertiza e tyre është veçanërisht e vlefshme.

Ministrja e Drejtësisë Znj. Gjonjaj prezantoi reformat kryesore të ndërmarra në kuadër të pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe respektimit të të drejtave themelore dhe ftoi pedagogët dhe studentët të përfshihen gjerësisht në procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit dhe përafrimit të tij me legjislacionin e BE, dhe veçanërisht në drejtim të kërkimit shkencor i cili kontribuon në hartimin dhe zbatimin e  reformave cilësore.

Takimi vijoji me një seancë diskutimi aktive dhe pyetje-përgjigjesh mes të ftuarve dhe pedagogëve e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë. Në përfundim të takimit u nënshkrua edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Fakultetit të Drejtësisë.

 

 

 

Leave A Comment