Thirrje për aplikime nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë

Fakulteti i Drejtësisë, UT ka nisur zbatimin e projektit “Monitorimi i Zbatimit të Reformës në Drejtësi”, financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Zhvillim, për periudhën mars 2019 – shkurt 2020.

Për zbatimin e këtij projekti, do të përfshihen edhe 20 studentë, të vitit të tretë bachelor dhe vitit te parë Master (publik, penal, civil). Studentët do të angazhohen në monitorime në gjykata, prokurori, institucione të ngritura në kuadër te reformës në drejtësi etj., si edhe do të identifikojnë dhe përpunojnë vendime gjyqësore në fusha specifike që janë objekt i këtij projekti.

Studentët do t’i nënshtrohen një trajnimi paraprak në lidhje me monitorimin, si edhe mbledhjen dhe përpunimin e vendimeve gjyqësore.

Studentët e interesuar mund të aplikojnë për këtë projekt duke dërguar një kërkesë/letër motivimi me shkrim (maksimumi 1 faqe A4) ku duhet të përfshijnë:

  1. Gjeneralitetet, kontakt e-mail/ telefon, vitin e studimit/ ciklin e studimit, grupin dhe mesataren e notave (mesatarja e llogaritur nga viti i parë deri në vitin e tretë të studimit për studentët e ciklit të parë (bachelor); për studentët e ciklit të dytë (master), mesataren e ciklit të parë dhe mesataren për lëndët e vlerësuara në master deri në momentin e aplikimit);
  2. Arsyet, motivet për përfshirjen në këtë projekt;
  3. Nëse kanë pasur eksperienca të mëparshme në monitorime ose mbledhje/analize vendimesh gjyqësore.

Aplikimet do të dorëzohen tek Sekretaria e Klinikës Ligjore në Fakultet në datat 1-5 Prill, nga ora 9.30-12.00.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *