Bazuar në nenin 76 të Ligjit Nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe në Udhëzimin Nr. 18, datë 16.8.2017, të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, në lidhje me aplikimet dhe regjistrimet për ndjekjen e programeve të studimeve të ciklit të dytë në vitin akademik 2017-2018, ju informojmë se në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës:

  1. Periudha e pranimit të aplikimeve për ndjekjen e programeve të studimeve të ciklit të dytë në vitin akademik 2017-2018, do të jetë në datat 4-20 tetor 2017.
  2. Shpallja e kandidatëve fitues do të bëhet në datën 24 tetor 2017.
  3. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit deri në datën 27 tetor 2017.
  4. Regjistrimi i kandidatëve fitues do të kryhet pranë sekretarisë mësimore të FDUT deri në datën 30 tetor 2017.

Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që:

a. kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, ose

 b. janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë MAS brenda muajit dhjetor 2017.

Kriteret e pranimit për ndjekjen e programeve të studimeve të ciklit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin akademik 2017-2018 janë:

  1. Nota mesatare minimale për të aplikuar për Master Shkencor është 7 (shtatë);
  2. Nota mesatare minimale për të aplikuar për Master Profesional është 6 (gjashtë);
  3. Nota mesatare minimale për të aplikuar për Master Profesional EU Business Law është 6 (gjashtë);
  4. Niveli minimal i njohjes së një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, është B1; (Ky kriter është i zbatueshëm vetëm për masterin shkencor.)

Kuotat fillestare do të plotësohen duke u dhënë prioritet aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si edhe aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në Institucionet e Arsimit të Lartë jashtë vendit.

Kuotat e mëpasme do të plotësohen duke u dhënë prioritet aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në institucionet e tjera publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, në degën Drejtësi; në degën ‘Shkenca Sociale’ për ‘Master Profesional në E Drejtë Publike’; si edhe në degën ‘Ekonomi’ për ‘Master Profesional EU Business Law’.

Kuotat e mëpasme do të plotësohen prej aplikantëve që kanë përfunduar studimet ‘Bachelor’ në institucionet jopublike të Arsimit të Lartë të Republikës së Shqipërisë.

Kandidati paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:

  1.  Diplomën ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përjunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomë të ciklit të parë të studimeve të përjunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, një dokument tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës;
  2.  Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në Vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, i ndryshuar, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA).Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave;
  3. Formularin e aplikimit (sipas formatit bashkëlidhur këtij njoftimi);
  4.  Fotokopjen e dokumentit të identifikimit (letërnjoftim ose pasaportë);
  5.  Dy fotografi personale;
  6. Mandat pagese për tarifën e aplikimit në shumën 2500 lekë;
  7. Certifikatën e njohjes së një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht të nivelit B1. (Ky kriter është i zbatueshëm vetëm për masterin shkencor.)

 Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj:

  1. Dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit te Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe), si dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël/program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri. Shtetasit e huaj që aplikojnë në bazë të marrëveshjeve dypalëshe përjashtohen nga tarifat e shkollimit, në përputhje me marrëveshjet përkatëse.
  2. Curriculum Vitae;
  3.  Deklaratën (sipas formatit bashkëlidhur këtij njoftimi).

 Dokumentacion shtesë vetëm për kandidatët e kategorive të veçanta:

  1.  Kandidatët me statusin e personit me aftësi të kufizuar, duhet të dorëzojnë edhe kopje të noterizuar të librezës së personit me aftësi të kufizuar të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të njësuar me origjinalin të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).
  2. Kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë edhe fotokopjen e noterizuar të dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.
  3. Kandidati Rom dhe Ballkano-Egjiptian, duhet të dorëzojë edhe fotokopjen e noterizuar të dokumentit që vërteton që është Rom apo Ballkano-Egjiptian.

 I gjithë informacioni i mësipërm është i disponueshëm në formatin shkresor pranë Zyrës së Informacionit dhe në formatin elektronik në faqen zyrtare të internetit të FDUT.

 DEKANI

Prof. Dr. Artan HOXHA