Bazuar në nenin 135, pika 2 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Rektori i Universitetit të Tiranës shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga personeli akademik me kohë të plotë i Fakultetit të Drejtësisë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
1) Njoftohet personeli akademik me kohë të plotë i Fakultetit të Drejtësisë që janë të interesuar të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe plotësojnë kushtet e parashikuara në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që brenda datës 2 Shkurt 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë. Një kopje e kërkesës, së bashku me dokumentacionin shoqërues, i dërgohet dhe Rektorit të Universitetit të Tiranës.
2) Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) të jenë shtetas shqiptarë;
b) të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale si jurist;
c) në kohën e kandidimit, të kenë përvojë jo më pak se 5 vjet si personel akademik me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë.
ç) të jenë personel akademik të kategorisë “profesor” ose “lektor”;
d) në kohën e kandidimit të mos jetë rektor
dh) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
e) të mos kenë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit;
f) të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
g) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve inteligjente;
gj) në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.
3) Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrimin e përditësuar;
b) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
c) formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
ç) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë,
bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
d) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimit sekret.
dh) çdo dokument tjetër që vërteton përmbushjen e kushteve ligjore, të parashikuara në nenin 134 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
4) Fakulteti i Drejtësisë përzgjedh jo më shumë se 3 (tre) kandidatë nga radhët e personelit akademik me kohë të plotë, me kushtin që të mos jenë propozuar nga rradhët e avokatëve ose nga rradhët e organizatave të shoqërisë civile
5) Secili prej personelit akademik me kohë të plotë i Fakultetit të Drejtësisë që plotëson kushtet e përmendura në ligj, dhe që siguron mbështetjen e së paku 3 pedagogëve me të drejtë vote, ka të drejtë të kandidojë.
6) Rektori i Universitetit të Tiranës miraton formularin tip për dhënien e mbështetjes kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Formulari tip nënshkruhet nga personeli akademik me kohë të plotë i Fakultetit të Drejtësisë me të drejtë vote që vendos të mbështesë kandidatin. Personeli me kohë të plotë i Fakuletit të Drejtësisë me të drejtë vote mund të mbështesë vetëm një kandidat.
7) I gjithë personeli akademik me kohë të plotë i Fakultetit të Drejtësisë, përfshirë edhe personelin akademik të kategorisë “asistent-lektor”, ka të drejtë të mbështesi kandidatë dhe të votojnë për përzgjedhjen e kandidatëve nga institucionet përkatëse.
Thirrja shpallet në faqen zyrtare të Universitetit të Tiranës, të Fakultetit të Drejtësisë dhe i dërgohet secilit prej personelit akademik me kohë të plotë të Fakultetit të Drejtësisë në adresën elektronike.
Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese, brenda datës 2 Shkurt 2017, duhet të dërgohen në adresën elektronike: info@unitir.edu.al, dhe në adresën elektronike: info@fdut.edu.al si dhe në adresën postare: Rektorati i Universitetit të Tiranës , Sheshi “Nënë Tereza”, kutia postare nr.183.
Bashkëngjitur do të gjeni formularin tip për dhënien e mbështetjes së kandidatëve për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të miratuar nga Rektori i UT-së.