PËR KUOTAT E PRANIMIT DHE TARIFAT E SHKOLLIMIT NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË PËR PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË ME KOHË TË PLOTË, “MASTER PROFESIONAL” DHE “MASTER I SHKENCAVE”/“MASTER I ARTEVE TË BUKURA”, PËR VITIN AKADEMIK 2014 – 2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 24, 34, 35, 36 e 75, të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit nr. 7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr. 10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye ose për shkak të detyrës”, si dhe të ligjit nr. 8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe të Sportit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014 – 2015, në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional”, janë 6 393 (gjashtë mijë e treqind e nëntëdhjetë e tre) kuota gjithsej, të ndara, si më poshtë vijon:
a) Kuota për pranimet e reja 6243;
b) Kuota për program të dytë studimi 60;
c) Kuota për transferim studimesh 60;
ç) Kuota për shtetasit e huaj 30.
- Kuotat e pranimeve të reja, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, përbëhen nga:
a) Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 5823;
b)Kuota për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 250;
c) Kuota për të verbrit 15;
ç) Kuota për romët dhe ballkano-egjiptianët 15;
d) Kuota për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë 15;
dh) Kuota për jetimët 15;
e) Kuota për ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë 110.
- Kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014 – 2015, në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master i Shkencave” dhe “Master i Arteve të Bukura”, janë 6547 (gjashtë mijë e pesëqind e dyzet e shtatë) kuota gjithsej, të ndara, si më poshtë vijon:
a) Kuota për pranimet e reja 6397;
b)Kuota për program të dytë studimi; 60;
c) Kuota për transferim studimesh 60;
ç) Kuota për shtetasit e huaj 30.
- Kuotat e pranimeve të reja, sipas shkronjës “a”, të pikës 3, të këtij vendimi, përbëhen nga:
a) Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 6087;
b)Kuota për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 250;
c) Kuota për të verbrit 15;
ç) Kuota për romët dhe ballkano – egjiptianët 15;
d) Kuota për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë 15;
dh) Kuota për jetimët 15.
- Kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, të parashikuara përkatësisht në shkronjat “a”, të pikave 2 dhe 4, të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit në institucionet publike të arsimit të lartë, pasqyrohen përkatësisht në tabelat nr. 1 dhe nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
- Kuotat e pranimit për një program të dytë studimi, si dhe kuotat për transferim studimesh në programet e studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, të përcaktuara përkatësisht në shkronjat “b” dhe “c”, të pikave 1 dhe 3, të këtij vendimi, shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, mbështetur dhe në kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë.
- Kandidatët, që kanë përfunduar me sukses një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi dhe rregullave të parashikuara në këtë vendim.
- Transferimet e studentëve në numrin përkatës të kuotës bëhen bazuar në udhëzimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe sipas kritereve të meritës, të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë dhe në këtë vendim.
- Studentët transferojnë studimet nga një program i ngjashëm studimi i mëparshëm “Master Profesional” në një program tjetër studimi “Master Profesional” apo nga një program studimi “Master i Shkencave” ose “Master i Arteve të Bukura” në një program tjetër studimi “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, në institucionet publike të arsimit të lartë, duke iu nënshtruar tarifës për kredit të programit të studimit, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet, të përcaktuar në tabelat nr. 1 dhe nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
- Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, të përcaktuara përkatësisht në shkronjat “ç”, të pikave 1 dhe 3, të këtij vendimi, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy- apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit nga personat e interesuar.
- Kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, të parashikuara përkatësisht në shkronjat “b”, të pikave 2 dhe 4, të këtij vendimi, shpërndahen me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë. Rishpërndarja e këtyre kuotave kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë.
- Kandidatët nga Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës aplikojnë direkt në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Specifikime të tjera për mënyrën e aplikimit, si dhe kriteret e vlerësimit dhe të pranimit të tyre në këto programe studimi përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe bëhen të njohura në median e shkruar dhe elektronike për të gjithë kandidatët e interesuar.
- Kuotat e pranimit për të verbrit, të përcaktuara përkatësisht në shkronjën “c”, të pikave 2 dhe 4, të këtij vendimi, për romët dhe ballkano – egjiptianët, të përcaktuara në shkronjën “ç”, të pikave 2 dhe 4, të këtij vendimi, për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të përcaktuara në shkronjën “d”, të pikave 2 dhe 4, të këtij vendimi, për jetimët, të përcaktuara në shkronjën “dh”, të pikave 2 dhe 4, të këtij vendimi, dhe për ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë, të përcaktuara në shkronjën “e”, të pikës 2, të këtij vendimi, ndahen ndërmjet kandidatëve me statusin përkatës nga një komision me përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Përbërja dhe mënyra e funksionimit të komisionit të përbashkët, si dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit. Rishpërndarja e këtyre kuotave kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë.
- Studentët, që do të aplikojnë për të vazhduar studimet në një program studimi të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura” apo kërkojnë të transferojnë studimet e tyre, duhet të kenë notë mesatare të studimeve të ciklit të parë më të lartë se nota gjashtë, si dhe notë mesatare të të gjitha viteve të shkollës së mesme më të lartë se nota gjashtë.
- Çdo program studimi i ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura” fillon veprimtarinë akademike në vitin e parë, për vitin akademik 2014 – 2015, në rast se në këtë program studimi regjistrohen së paku 10 studentë. Ky rregull nuk aplikohet për Universitetin e Arteve, Tiranë.
Për programet e studimit, për të cilat janë akorduar kuota për disa profile së bashku, institucionet publike të arsimit të lartë, në përfundim të aplikimeve, u komunikojnë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve programet e studimit me profilin përkatës, të cilat kanë numër studentësh mbi 10 dhe që do të fillojnë rishtazi veprimtarinë akademike në vitin akademik vijues.
- Institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë kriteret e pranimit të kandidatëve të rinj për programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, për vitin akademik 2014 – 2015, dhe i bëjnë publike, paraprakisht, përpara datës së parashikuar për fillimin e aplikimeve në këto programe studimi.
- Tarifat e shkollimit për kredit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, në vitin akademik 2014 – 2015, pasqyrohen përkatësisht në tabelat nr. 1 dhe nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
- Pagesa e tarifës për të gjitha programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë. Kësti i parë parashikon pagesën në masën 30% të tarifës totale dhe paguhet menjëherë me regjistrimin e studentit në programin përkatës të studimit.
Pas përfundimit të kohëzgjatjes normale të programit të studimit, studentët, të cilët nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës dhe nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program studimi deri në përfundim të vitit akademik, konsiderohen studentë ngelës/përsëritës.
Për lëndët përsëritëse, studentët paguajnë çdo vit akademik dyfishin e tarifës për kredit të parashikuar në këtë vendim.
Përcaktimi i sipërpërmendur do të aplikohet për vitin akademik 2014 -2015 e në vazhdim, gjithashtu edhe për të gjithë studentët e regjistruar në vitet akademike të mëparshme, të cilët nuk kanë përfunduar programet përkatëse të studimeve dhe do të jenë përsëritës.
- Shtetasit e huaj, që do të vazhdojnë studimet e ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi, si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur, në kuadër të marrëveshje ndërshtetërore, është parashikuar ndryshe.
- Studentët, që transferojnë studimet në një program studimi të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave” apo “Master i Arteve të Bukura”, në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës për kredit për program të dytë studimi, sipas tabelave nr. 1 dhe nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi, për lëndët e mbetura në programin e studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.
- Kuotat e parealizuara rishpërndahen nga ministri i Arsimit dhe Sportit, në varësi të prioriteteve dhe politikave shtetërore në arsimin e lartë. Kuotat e parealizuara dhe të pashpërndara deri në 16.12.2014 nuk mund të rishpërndahen më.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve, si dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama
Leave A Comment