Titulli i Programit: Reforma kushtetuese – Garanci për shtetin e së drejtës 

Afati i Fundit për të aplikuar: 15 tetor 2014 

Përshkrim i programit

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Soros, në kuadër të Strategjisë së tij katër vjeçare 2014-2017, ka ndërmarrë nismën për nisjen e një debati të gjerë publik mbi nevojën primare që ka vendi për një reformë rrënjësore kushtetuese. 
Disa nga argumentat mbështetës që motivuan nisjen e këtij procesi sa kompleks e largpamës në vizion janë mangësitë e Kushtetutës së vitit 1998-ës, të cilat kanë shkaktuar dobësinë e institucioneve të pavarura përballë ndikimit të shumicës politike. Si të tilla mund të përmenden krizat e herpashershme në raportet e parlamentit me Prokurorin e Përgjithshëm, në zgjedhjen e Avokatit të Popullit apo procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, paaftësia e parlamentit për të ushtruar një mbikqyrje efektive mbi ekzekutivin. Në kushtet kur sot flitet gjithmonë e më shumë për nevojën e një reforme në sistemin e drejtësisë, Fondacioni mendon se Kushtetuta nuk ka garantuar sa dhe si duhet pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e pushtetit gjyqësor. Një tjetër faktor është nevoja për të rishikuar amendamentet që iu bënë Kushtetutës në 2008, sidomos në raport me formulën e zgjedhjes së Presidentit dhe mekanizmin e votëbesimit të qeverisë. 
Ndryshimi i Kushtetutës bëhet akoma më i rëndësishëm në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Tashmë me marrjen e statusit të vendit kandidat për shtet anëtar në BE, do të duhet të kryejmë ndryshimet për inkuadrimin automatik në rendin tonë juridik të së drejtës së BE. 
Me synim vjeljen e mendimeve nga bota akademike, ekspertë të fushës dhe studiues, Fondacioni Soros në bashkëpunim me Qendrën ALTRI dhe Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës nxit artikulimin e mendimit të aktorëve të ndryshëm në lidhje me reformën kushtetuese përmes prezantimit të punimeve shkencore – kërkimore. 

Udhëzim për autorët 
Artikujt duhet të konsistojnë në analiza mbi ndryshime të mundshme kushtetuese, shoqëruar me sugjerime përkatëse. Nën temën kryesore “Reforma Kushtetuese”, artikujt mund të fokusohen në nevojën për ndryshime kushtetuese në lidhje me secilën nga temat e mëposhtme, por pa u kufizuar vetëm në to: 
1. Mbi nevojën dhe procedurën e ndryshimit të Kushtetutës;
2. Mbi pozitën kushtetuese të Presidentit të Republikës;
3. Mbi procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe/ose të Lartë;
4. Parlamentarizmi (struktura dhe/ose procesi legjislativ);
5. Kontrolli parlamentar ndaj ekzekutivit;
6. Pozita kushtetuese e Këshillit të Ministrave;
7. Pajtueshmëria e funksionit të deputetit me atë të ministrit;
8. Pavarësia dhe përgjegjshmëria e pushtetit gjyqësor;
9. Mbi nevojën për ridimensionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në kuadër të reformës në drejtësi;
10. Pozita e Prokurorisë në një shtet të së drejtës;
11. Mbi nevojën për ndërhyrje në funksion të garantimit të pavarësisë de facto të institucioneve të pavarura në RSH.

Lista e mësipërme është sugjeruese. Ju mund të paraqisni artikuj edhe për tema të tjera mbi nevoja të ndryshimeve kushtetuese, sipas këndvështrimit tuaj.

Artikulli duhet të përmbajë:
• Abstraktin dhe fjalët kyçe (5-7), autorin/autorët, titujt shkencore, pozicionin dhe institucionin që përfaqësojnë si dhe kontaktet e tyre.  
• Titulli i shkrimit duhet të jetë konçiz e i qartë dhe të përçojë idenë qendrore të artikullit;
• Artikulli duhet të pasqyrojë në mënyrë konçize dhe të qartë problematikat/çështjet e trajtuara dhe të shqyrtojë në mënyrë të qartë dhe profesionale argumentat.  Shkrimi duhe të bazohet në arsyetime të argumentuara mbi qëndrimet e mbajtura, duke respektuar parimet e etikës dhe profesionalizmit;
• Duhet të jetë jo më i shkurtër se 10 faqe dhe, jo më i gjatë se 15, i shkruar në “Time New Roman”, Madhësia 12, Formati A4, “Justified”, “Line Spacing 1”, ndërsa titulli në Font “Times New Roman”, Madhësia e fontit 14, Bold, shkronja kapitale.
• Faqja e parë, duhet të ketë të përcaktuar: Titullin e punimit, autorin(autorët), pozicionin dhe kontaktin, abstraktin e punimit dhe fjalët kyçe.
• KUJDES* Artikujt duhet të jenë rezultat i studimit, veprimtarisë profesionale apo kërkimore-shkencore të vetë autorit/autorëve dhe të mos jenë botuar më parë në ndonjë periodik apo publikim tjetër. Artikulli duhet të shoqërohet me bibliografinë dhe referencat përkatëse. 

Artikujt do të vlerësohen nga një Bord Shkencor i posaçëm. 

Për tre artikujt më të mirë, Fondacioni SOROS do të shpërndajë çmime monetare. 
Për dhjetë artikujt më të mirë do të sigurohet botimi, si dhe autorët do të ftohen të mbajnë leksione të hapura mbi temat e trajtuara në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Artikujt duhet të dërgohen brenda datës 15 tetor 2014, në adresën elektronike të Fondacionit:reformakushtetuese@osfa.al

Konsiderime të tjera 
Artiku
jt që mbërrijnë pas datës së caktuar si afati përfundimtar nuk do të merren në konsideratë. 

Për më tepër informacion mbi programin “Reforma kushtetuese – Garanci për shtetin e së drejtës”, lutemi vizitoni faqen zyrtare të Fondacionit www.soros.al.