Çfarë është Klinika e Ligjit e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës?

Klinika e Ligjit e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (FDUT) ofron ndihmë juridike falas për personat në pamundësi ekonomike për të përballuar ndihmë nga avokati. Ajo e mbështet veprimtarinë e saj në punën vullnetare të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë.

Ndihma juridike ofrohet nga studentët e Klinikës nën kujdesin e pedagogut përgjegjës të lëndës “Klinika e Ligjit” në të drejtën publike, penale dhe civile.

Pra, Klinika është një mekanizëm përmes të cilit synohet përsosja e mëtejshme e procesit të edukimit të studentëve të drejtësisë në programin “Master” përmes harmonizimit të dijeve teorike me praktikën e zbatimit të ligjit.

Studentët që përzgjedhin lëndën “Klinika e Ligjit” kanë mundësi të përfshihen në përgatitjen e opinioneve ligjore, përpilimin e dokumenteve apo akteve juridike.

Ata mund të punojnë drejtpërdrejt me klientë si dhe të përfitojnë nga trajnimet e aftësimit praktik të ofruara për këtë qëllim. Klinika e Ligjit funksionon në bazë të një statuti dhe rregulloreje të posaçme.