Artan Hoxha

Prof. Dr. Artan Hoxha

Institucioni: Fakulteti i Drejtësisë  UT

Pozicioni i punës: Dekan

E-mail: artan.hoxha@fdut.edu.al

Përmbledhje e biografisë së Prof. Dr. Artan Hoxha

Prof. Dr. Artan Hoxha ka lindur në Tiranë dhe është diplomuar në vitin 1983 pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Është Profesor i së Drejtës Procedurale Penale që prej vitit 2008 dhe nga data 2 qershor 2016, është Dekan i Fakultetit të Drejtësisë.

Pas përfundimit të studimeve, gjatë periudhës 1987 – 1991, ka ushtruar detyrën si prokuror. Ai ka mbajtur funksionin e Drejtorit të Kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë gjatë periudhës 1997-1999. Prof. Dr Hoxha ka shërbyer për një mandat të plotë 9-vjeçar si Gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë për periudhën 1999 – 2008 dhe me Dekret të datës 10.05.2006, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medalje “Për merita të veçanta civile” me motivacionin “Për kontribut të shquar në hartimin e legjislacionit të ri në fushën e drejtësisë, angazhimin dhe përkushtimin profesional e moral në ushtrimin e funksionit të anëtarit të Gjykatës së Lartë”. Që prej themelimit të Shkollës së Magjistraturës në vitin 1997, ka shërbyer si pedagog dhe ekspert për formimin fillestar dhe atë vazhdues për gjyqtarë e prokurorë. Nga viti 2008 deri në vitin 2016, ka mbajtur detyrën e Drejtorit pranë Drejtorisë Juridike të Universitetit të Tiranës.

Është anëtar i disa bordeve dhe komisioneve të rëndësishme, ndër të cilat: Anëtar i Asamblesë së Komitetit Shqiptar të Helsinkit; Ekspert i Këshillit të Europës në fushën e Drejtësisë Penale dhe Pushtetit Gjyqësor; Anëtar i Komisionit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë për Reformën në Drejtësi pranë Komisionit të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë; Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë pranë MAS. Aktualisht është anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, organ këshillimor pranë MAS për politikat e zhvillimit të arsimit dhe shkencës

Gjatë karrierës së tij akademike ka punuar artikuj të shumtë shkencorë të botuar brenda dhe jashtë vendit. Ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Prof. Dr. Hoxha është autor i disa teksteve dhe monografive si: Komentari i Kodit të Procedurës Penale, Ekstradimi dhe Urdhëri Europian i Ndalimit, L’integrazione dell’Albania nell’UE, etj. Është njohës i mirë i gjuhës angleze dhe italiane.

Ka eksperiencë si lektor, kërkues shkencor dhe ka qenë i ftuar si guest lecturer në universitete të ndryshme jashtë vendit. Ai është anëtar nderi në John Marshall Law School, Chikago, SHBA dhe ka qenë kërkues shkencor në Universitetin Hugo De Groot, Leiden Law School,  University Leiden, Hollandë.