04 Jul

Ligj Nr. 9616, datë 27.9.2006 Për librin në Republikën e Shqipërisë

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është:

1. Të shpallë veprimtari me interes publik e kombëtar prodhimin, mbrojtjen, përhapjen dhe promovimin e librit dhe të produkteve të përafërta me të në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. Të ndikojë në krijimin e ndërgjegjes publike për vlerën dhe funksionin e librit, si faktor parësor në formimin dhe informimin e personit dhe personalitetit njerëzor në transmetimin e dijeve, në përhapjen e kulturës dhe në nxitjen e hulumtimit shkencor.

3. Të demokratizojë qasjen ndaj librit dhe të nxisë shprehitë e leximit.

4. Të garantojë dhe të promovojë qarkullimin e lirë të librit e të produkteve të përafërta me të, si dhe përhapjen e tyre brenda dhe jashtë territorit shtetëror, nëpërmjet çdo teknike dhe/ose teknologjie të krijuar ose që do të krijohet.

5. Të mbrojë dhe të nxisë zhvillimin e industrisë botuese të librit, në të mirë të interesave të publikut.

Neni 2

Objekti

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave në fushën e prodhimit, botimit, ruajtjes, mbrojtjes, përhapjes dhe promovimit të librit e të produkteve të përafërta me të në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Përcaktimi i rregullave në fushën e botimit, të prodhimit dhe shpërndarjes së librit shkollor bëhet me ligj të veçantë.

Neni 3

Përkufizime

Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Libër” është një tërësi unitare, e ilustruar ose jo, e shtypshkruar në një titull, në çfarëdo lloj forme, që ka objekt materializimin e një produkti mendor, të një ose më shumë autorëve dhe që botohet një herë ose më shumë në një vëllim ose në vëllime të ndryshme.

2. “Produkte të përafërta me të (librin)” janë almanakët, vjetarët, katalogët, albumet e filatelisë, albumet për ngjyrosje, albumet me figura, për fëmijë, dëftuesit e hekurudhave ose të rrugëve detare, repertorët, që përmbajnë vetëm të dhëna numerike, repertorët alfabetikë, broshurat, që shpjegojnë funksionimin e aparateve, me të cilat ato janë të lidhura, partiturat e thjeshta, për tekstin dhe muzikën e një kënge, fletoret e muzikës për detyra, si dhe botimet e tjera të ngjashme me to.

3. “Libër në formë elektronike, disku, shiriti magnetik, kasete, filmi ose diapozitivi” është libri, sipas përcaktimit në pikën 1 të këtij neni. Në rastin kur disku, shiriti magnetik, kaseta, filmi ose diapozitivi janë aksesorë të librit të shtypshkruar, duhet të përmbushin kushtin e dyfishtë:

a) të përbëjnë një tërësi dhe elementet e tyre të mos mund të jenë objekt për një shitje të veçuar;

b) që suporti dëgjimoro-pamor të jetë shtojcë ose shoqërues i librit dhe jo e kundërta.

4. “Autor” është personi fizik ose personat fizikë, që krijojnë një vepër, e cila botohet në formë libri, sipas përcaktimeve të mësipërme.

5. “Agjentë letrarë” janë personat fizikë ose juridikë, përfaqësues apo titullarë të të drejtave të autorit dhe të të drejtave të tjera të lidhura me të, mbi një vepër të caktuar, të zgjedhur me vullnet të lirë prej autorit të saj, në përputhje me nenin 106 të ligjit nr.9380, datë 28.4.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”.

6. “Art-grafist” është personi fizik ose juridik, që realizon përgatitjen dhe paraqitjen tërësore grafike të shtypshkrimeve, formateve, për diagramimin e brendshëm ose ilustrimin e librave.

7. “Botues” është personi fizik ose juridik, që zgjedh dhe përgatit për botim veprat e krijuara të autorëve, realizon ose porosit proceset industriale për shndërrimin e tyre në libra.

8. “Librashitës” është personi fizik ose juridik, që ushtron, tërësisht ose pjesërisht, veprimtarinë e shitjes së librave në mjedise tregtare, me qasje të lirë publike, si dhe personi fizik ose juridik, që ia shet librat drejtpërdrejt publikut nëpërmjet sistemit të kreditit, pajtimit, korrespondencës osemjeteve të tjera analoge.

9. “Përkthyes” është personi fizik ose juridik, që realizon përkthimin e një vepre nga një gjuhë në një gjuhë tjetër.

10. “Shpërndarës” është personi fizik ose juridik, që kryen blerjen dhe shitjen me shumicë të librave.

11. “Shtypshkrues” është personi fizik ose juridik, që ushtron veprimtari tregtare, me objekt shtypshkrimi dhe që zotëron pajisjet industriale e mjetet e nevojshme për prodhimin e librave.

KREU II

LIRIA E BOTIMIT DHE E QARKULLIMIT TË LIBRIT

Neni 4

Shteti garanton, mbron dhe promovon lirinë e botimit të librit dhe të qarkullimit të tij në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 5

Liria e botimit dhe e qarkullimit të librit mund të kufizohet për shkaqe të parashikuara në këtë ligj ose kur përbërja e tij ka elemente të veprës penale, apo që kanë të bëjnë me nxitjen e saj, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

Neni 6

Qarkullimi i librit nuk mund të kufizohet ose të ndalohet, përveçse me anë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë.

Neni 7

Në Republikën e Shqipërisë ndalohet djegia e librit.

Në rastet e nxjerrjes së një libri jashtë përdorimit, asgjësimi kryhet me mjete dhe teknika riciklimi, duke përjashtuar djegien.

KREU III

KËSHILLI KOMBËTAR I LIBRIT DHE I NXITJES SË LEXIMIT

Neni 8

Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Nxitjes së Leximit (KKLNL) krijohet si organ këshillimor i Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për çështjet objekt të këtij ligji.

Neni 9

Detyrat e KKLNL-së

Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Nxitjes së Leximit jep rekomandime për hartimin e politikave e të programeve për promovimin e librit, nxitjen e leximit dhe zhvillimin e industrisë botuese në vend, për ruajtjen dhe mbrojtjen e traditës së librave të vjetër (bukinistike), për rritjen e eksportit dhe përhapjen e librit shqiptar përtej kufijve shtetërorë.

KKLNL-ja ndihmon për organizimin e takimeve, të panaireve, ekspozitave, konkurseve dhe të veprimtarive të tjera kombëtare e ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e autorëve, përkthyesve, botuesve dhe librashitësve shqiptarë e të huaj, si dhe sugjeron dhënien e çmimeve, veçanërisht për botimet e veprave me rëndësi kombëtare e në fushat që vlerësohen parësore për kulturën kombëtare.

Neni 10

Përbërja e KKLNL-së

Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Nxitjes së Leximit kryesohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në përbërje ka 10 anëtarë:

1. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

2. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare.

3. Kryetari i shoqatës/shoqatave të botuesve shqiptarë.

4. Përfaqësuesi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.

5. Kryetari i Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Shqipërisë.

6. Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Gjithashtu, 4 anëtarë të tjerë, personalitete të njohura të fushës, caktohen nga ministri për një periudhë 4-vjeçare.

Në mbledhjen e KKLNL-së ftohen të marrin pjesë drejtues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përgjegjës për çështjet e librit dhe, me kërkesë të ministrit, edhe përfaqësues të ministrive dhe institucioneve qendrore, në varësi të çështjeve objekt diskutimi.

Neni 11

Mënyra e funksionimit të KKLNL-së

KKLNL-ja funksionon në bazë të rregullores, e cila miratohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me propozimin e KKLNL-së.

KKLNL-ja mbështetet nga sekretaria tekniko-administrative, funksionet e së cilës kryhen nga struktura e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e caktuar me urdhër të ministrit.

KREU IV

PËR NXITJEN E BOTIMIT

Neni 12

Për nxitjen e botimit të veprave me rëndësi kombëtare, historike, kulturore e shkencore krijohet fondi kombëtar për librin, si zë më vete në buxhetin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. KKLNL-ja, çdo vit, i propozon Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve titujt e veprave që do të botohen me mbështetjen e fondit kombëtar të librit.

Neni 13

Për dhurimet e librave, të revistave, të broshurave e të katalogëve institucioneve të arsimit, kulturës, bibliotekave, shoqatave jofitimprurese ose sindikatave, zbatohen përfitimet përkatëse, sipas parashikimeve në ligjin nr. 7892, datë 21.12.1994 “Për sponsorizimet”, të ndryshuar.

Neni 14

Për librat e botuar dhe të shtypshkruar në Republikën e Shqipërisë zbatohen tarifat postare favorizuese, në përputhje me ligjin nr. 8530, datë 23.9.1999 “Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe, në çdo rast tjetër, në përputhje me marrëveshjet dy ose shumëpalëshe.

KREU V

PËR NXITJEN E LEXIMIT

Neni 15

Shteti nxit ndërgjegjësimin për librat dhe për shprehitë e leximit nëpërmjet:

1. Organizimit të veprimtarive kulturore, edukuese dhe informuese nga institucionet e mësimdhënies dhe me anë të mjeteve të komunikimit.

2. Dhënies së çmimeve për promovimin, botimin dhe përhapjen e librit dhe të leximit.

3. Sigurimit të fondeve për blerjen e librave të botuar dhe të shtypshkruar në vend, për pasurimin e rrjetit kombëtar të bibliotekave dhe/ose qendrave të dokumentimit me karakter publik.

4. Organizimit të ekspozitave dhe panaireve të librit, në përputhje me vendimin nr. 43, datë 17.1.1998 të Këshillit të Ministrave “Për organizimin e panaireve kombëtare dhe të ekspozitave tregtare”, të ndryshuar.

Neni 16

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në fillim të çdo viti harton dhe nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me operatorët radiotelevizivë, publikë ose privatë, si dhe me mediat e shkruara që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për uljen e tarifave për reklamat, si dhe për krijimin e hapësirave për promovimin e botimeve të realizuara në Republikën e Shqipërisë.

Neni 17

1. Për të pasuruar fondet e sistemit bibliotekar kombëtar me vepra me karakter kulturor, shkencor, teknik apo teknologjik të autorëve shqiptarë dhe të huaj, organet shtetërore, qendrore dhe vendore, në bazë të rekomandimeve të Këshillit Kombëtar të Librit dhe të Nxitjes së Leximit, të përcjella nga ministri, krijojnë fondet përkatëse në buxhetet respektive për blerjen e një minimumi të titujve të botuar dhe të shtypshkruar në vend. Ky minimum përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Këshillat bashkiakë ose komunalë duhet të planifikojnë dhe të përcaktojnë në buxhetet vjetore respektive një zë të veçantë për blerjen e librave për bibliotekat publike të njësive të qeverisjes vendore.

Neni 18

Institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore, në bazë të rekomandimeve të Këshillit Kombëtar të Librit dhe të Nxitjes së Leximit, të përcjella nga ministri, marrin masat e nevojshme për përhapjen e librit dhe nxitjen e leximit.

KREU VI

REGJISTRI I BOTUESVE

Neni 19

1. Pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve krijohet regjistri i botuesve, ku regjistrohen të gjithë botuesit e licencuar për ushtrimin e veprimtarisë botuese.

2. Procedurat e licencimit dhe kriteret e cilësisë profesionale, kulturore dhe etike të botimit, që personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, duhet të plotësojnë për ushtrimin e veprimtarisë botuese, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pas plotësimit të kritereve të miratuara, bën licencimin e botuesve dhe vendos regjistrimin e tyre në regjistrin e botuesve.

Neni 20

1. Rregullat për regjistrimin dhe çregjistrimin e botuesve nga regjistri përcaktohen me urdhër të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

2. Botuesit, të cilët e ushtrojnë këtë veprimtari përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të regjistrohen në regjistrin e botuesve, brenda një afati gjashtëmujor nga data e hyrjes në fuqi të ligjit.

KREU VII

IDENTIFIKIMI I LIBRIT

Neni 21

Në çdo libër të botuar dhe të shtypshkruar në Republikën e Shqipërisë duhet të shënohen dëftuesit e mëposhtëm:

a) titulli i veprës;

b) emri dhe/ose pseudonimi i autorit;

c) emri i përkthyesit ose i hartuesit, nëse vepra ka të tillë;

ç) titulli i veprës në gjuhën nga e cila është përkthyer, si dhe titulli i saj në origjinal;

d) numri i botimit ose i rishtypjes;

dh) viti i botimit;

e) vendi, data e shtypjes dhe emri i shtypshkronjës;

ë) emri i botuesit dhe adresa e tij;

f) numri ndërkombëtar i standardizuar i librit (ISBN);

g) tirazhi (numri i kopjeve);

gj) çmimi;

h) e drejta e autorit;

i) barkodi;

j) katalogimi në botim (CIP);

k) dëftues të tjerë, sipas veçantisë së botimit, nëse ka.

Neni 22

Kontratat e botimit

Të gjitha kontratat e botimit, shtypshkrimit, bashkëbotimit, përkthimit, shpërndarjes dhe të tjera, që lidhen me këto procese, duhet të regjistrohen në Zyrën Shqiptare të së Drejtës së Autorit, siç parashikohet në ligjin nr. 9380, datë 28.4.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”.

KREU VIII

NUMRI NDËRKOMBËTAR I STANDARDIZUAR I LIBRIT (ISBN)

Neni 23

Në përbërje të Bibliotekës Kombëtare funksionon Agjencia Kombëtare e Standardizimit të Botimeve të Librit, që kryen standardizimin, klasifikimin bashkëkohor të botimit të librit në Republikën e Shqipërisë në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe përpunimin në këto rrafshe të të dhënave.

Neni 24

1. Veprimtaria, të drejtat dhe detyrat e Agjencisë Kombëtare të Standardizimit të Botimeve të Librit përcaktohen në rregulloren e kësaj Agjencie, e cila hartohet nga Biblioteka Kombëtare dhe miratohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në përputhje me kushtet e dhënies së ISBN-së, të parashikuara nga Agjencia Ndërkombëtare e ISBN-së.

2. Në rregulloren e funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Standardizimit të Botimeve të Librit përcaktohen procedurat që ndjek kjo Agjenci për ofrimin, dhënien dhe kontrollin e zbatimit të ISBN-së, si dhe kushtet që duhet të plotësojë botuesi për kërkimin, marrjen dhe vendosjen e ISBN-së.

Neni 25

Për botimin e librit në Republikën e Shqipërisë përdoren identifikuesit e grupit, të përditësuar nga Agjencia Kombëtare e Standardizimit, të cilat i janë dhënë ose do t’i jepen në të ardhmen kësaj Agjencie nga Agjencia Ndërkombëtare e ISBN-së.

Neni 26

ISBN-ja jepet në çdo titull të ri, të botuar për herë të parë, si dhe në çdo ribotim, kur në të përfshihen ndryshime në lidhjen e librit, në tekst ose në formatin e shtypjes, me përjashtim të rishtypjeve pa ndryshime në tekst dhe në karakteristikat teknike e teknologjike të origjinalit.

Neni 27

ISBN-ja shënohet në mbulesën e jashtme të librit, në pjesën e poshtme të saj. Në rastin e botimeve me “këmishë” (mbimbulesë), ISBN-ja do të shënohet edhe në të. Në raste përjashtimore vështirësish shtypet në një pozicion të dukshëm.

ISBN-ja duhet të shtypet me shenja numerike të mëdha dhe të lexueshme lehtësisht.

Neni 28

Marrja nga ana e botuesit dhe dhënia nga ana e Agjencisë Kombëtare të Standardizimit të ISBN-së realizohen nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate me shkrim ndërmjet botuesit dhe kësaj Agjencie, sipas formularëve-tip të ofruar nga kjo e fundit.

Neni 29

Shërbimi për dhënien e ISBN-së nga Agjencia Kombëtare e Standardizimit të ISBN-së kryhet pa ose me pagesë, sipas rekomandimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së.

Neni 30

Në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet botuesve dhe Agjencisë Kombëtare të Standardizimit, bëhet ankim me shkrim pranë Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Shqyrtimi i ankimit bëhet brenda 10 ditëve. Ndaj përgjigjes së Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare mund të bëhet ankim me shkrim pranë Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili shqyrton ankimin brenda 30 ditëve, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative. Kundër vendimit të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pala e interesuar mund të ngrejë padi në gjykatë brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për këtë vendim.

KREU IX

ÇMIMI I SHITJES SË LIBRIT NË PUBLIK

Neni 31

Çdo person fizik ose juridik, që boton ose importon libra, duhet të caktojë një çmim për shitjen e tyre në publik.

Neni 32

Importues, në zbatim të këtij ligji, është personi fizik ose juridik, që mundëson hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të materialeve të botuara, të shtypshkruara ose të prodhuara jashtë këtij territori.

Neni 33

Çmimi i shitjes në publik bëhet i njohur publikisht, duke u shënuar në mbulesën e jashtme të librit me shtyp ose mbietiketim. Në rast të mbietiketimit, etiketa duhet të mbajë edhe emrin e botuesit. Në rastin e botimeve me “këmishë” çmimi shtypet ose mbietiketohet edhe në të.

Neni 34

Shënimi fillestar i çmimit të shitjes në publik të librit është detyrë e botuesit dhe e importuesit të tij.

Neni 35

Për librat e vënë në shitje para hyrjes në fuqi të këtij ligji e që nuk e kanë të shënuar çmimin e shitjes në publik, sipas kërkesave të neneve 33 e 34 të këtij ligji, shënimi i çmimit të shitjes në publik është detyrë e botuesit dhe e importuesit të librit, si dhe e librashitësit ose rrjetit librashitës. Shënimin e zbaton librashitësi ose rrjeti librashitës, sipas dokumentimit të çmimeve përkatëse nga botuesit ose importuesit e librit. Në këto raste, afati nga komunikimi i çmimeve përkatëse deri në vënien në zbatim të tij duhet të jetë i mjaftueshëm që librashitësi ose rrjeti librashitës të mund të bëjë shënimin në kopjet që ka gjendje. Ky afat, në këtë rast, nuk mund të jetë më shumë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Kontrolli për respektimin e këtij detyrimi ushtrohet nga organi i kontrollit, i autorizuar me urdhër të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Neni 36

1. Ndryshimi i çmimit të shitjes në publik bëhet nga botuesi dhe importuesi dhe i komunikohet librashitësit ose rrjetit librashitës me shkrim. Afati, nga komunikimi i këtij ndryshimi deri në vënien në zbatim të tij, duhet të jetë i mjaftueshëm që librashitësi ose rrjeti librashitës të mund të bëjë shënimin në kopjet që ka gjendje, por jo më shumë se 15 ditë.

2. Librashitësi ose shpërndarësi në asnjë rast nuk mund ta ndryshojë çmimin e shitjes së librit apo të produkteve të përafërta me të, pa miratimin paraprak të botuesit.

Neni 37

Në rastin e ndryshimit të çmimit të shitjes në publik, përveç çmimit të ri, në mbietiketim ose reklamë duhet të jetë shënuar edhe çmimi i mëparshëm.

Neni 38

Në rastet kur ulja e çmimit përbën një ulje uniforme çmimi, të një tërësie ose të një pjese të caktuar botimesh të hedhura në treg, shënimi mbi libër i çmimit të ulur nuk është i detyrueshëm dhe pagesa e çmimit të ulur mund të kryhet drejtpërdrejt në arkë, me kusht që kjo ulje të jetë e njoftuar me anë të një reklame të vendosur në mjediset e shitjes.

Neni 39

Në rastet e shitjes nëpërmjet pajtimit, abonimit ose me korrespondencë, çmimi i shitjes në publik duhet të dëftohet vetëm në dokumentet e shitjes ose në katalogët, me anë të të cilëve bëhet porosia.

Neni 40

Në rast shkeljeje të dispozitave të këtij kreu, çdo i dëmtuar, individ, person fizik ose juridik, si shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve, shoqatat e botuesve, sindikatat e profesionistëve të botimit ose të shpërndarjes së librit, si dhe vetë autori i librit, titullari i mbrojtjes së të drejtave të autorit apo agjencia për mbrojtjen e të drejtave të autorëve, kanë të drejtë të kërkojnë ndalimin e cenimit të të drejtave të tyre dhe/ose dëmshpërblimin përkatës pranë organeve përgjegjëse.

KREU X

DORËZIMI I DETYRUAR I KOPJEVE

Neni 41

Botimet e shtypshkruara në formë libri, broshure, afisheje, karte postale, harte, atlasi gjeografik, partiture, muzikore dhe koreografike, pavarësisht nga mbështetja materiale dhe nga procedurat teknike të prodhimit, botimit ose shpërndarjes, të shtypshkruara brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga persona fizikë ose juridikë, që ushtrojnë veprimtari në fushën e botimit dhe të shpërndarjes në këtë territor, me t’iu ofruar publikut, janë objekt i dorëzimit të detyruar të kopjeve, sipas përcaktimit të nenit 43 të këtij ligji, në Bibliotekën Kombëtare dhe në bibliotekat publike.

Neni 42

Të gjithë botuesit, entet botuese dhe mjetet e informimit publik, shtetërore ose private, që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të dorëzojnë, pa shpërblim, në Bibliotekën Kombëtare, në Bibliotekën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në bibliotekat publike pranë njësive administrative vendore, ku ushtrojnë veprimtarinë, nga 5 kopje për çdo botim, duke paguar edhe tarifën e shërbimit postar, kur është i nevojshëm.

Neni 43

Dorëzimi kryhet brenda 1 muaji nga data e tërheqjes prej shtypshkronjës së botimeve dhe kjo datë e parallogaritur shënohet, detyrimisht, në të dhënat e botimit, si afat për kryerjen e dorëzimit të detyruar të kopjeve.

Neni 44

Për çdo shtypje të re, të të njëjtit botim, përsëritet e njëjta procedurë e përcaktuar në nenin 43 të këtij ligji, duke shënuar në të të dhënat e botimit të rishtypur, datën e parë të afatit të dorëzimit, si dhe datën e dytë, të tretën, e kështu me radhë, të këtij afati.

Neni 45

Dorëzimi i materialeve të përshkruara në nenin 41 të këtij ligji bëhet prej personit fizik ose juridik, të përcaktuar në pikën 7 të nenit 3 të këtij ligji.

Neni 46

Cilësia teknike dhe/ose teknologjike e prodhimit të kopjeve të detyruara për t’u dorëzuar duhet të jetë e njëjtë me të gjitha kopjet e tirazhit.

Në rastet e prodhimit të një libri apo të një produkti të përafërt me të, në më shumë se një format ose mbulesë, të cilat kanë numra identifikimi ISBN-je të ndryshme, prodhimet vlerësohen si botime të ndryshme dhe i nënshtrohen, si të tilla, dorëzimit të detyruar të kopjeve, të përcaktuara në nenin 42 të këtij ligji.

Neni 47

Dorëzimi i detyruar i kopjeve shoqërohet me deklaratën e botuesit, sipas formularit-tip të miratuar nga Drejtori i Bibliotekës Kombëtare.

KREU XI

KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

Neni 48

1. Kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative:

a) shkelja e paragrafit të parë të nenit 7 dhe dënohet me gjobë me 100-fishin e çmimit të librit;

b) shkelja e nenit 41 të këtij ligji dhe dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë. Gjithashtu, subjekti detyrohet të përmbushë detyrimin ligjor, të përcaktuar në nenin 41 të këtij ligji;

c) ndryshimi i çmimit të shitjes së librit nga librashitësi, rrjeti librashitës apo shpërndarësi pa miratimin e botuesit dhe dënohet me gjobë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

ç) botimi dhe hedhja në treg e librave pa plotësuar kërkesat e nenit 21 të këtij ligji dhe dënohet me gjobë nga 100 deri në 1 000-fishin e çmimit të librit;

d) botimi i librit në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjit nr. 9380, datë 28.4.2005 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të” dhe dënohet me gjobë nga 1 000 deri në 10 000-fishin e çmimit të librit, në varësi edhe të tirazhit;

dh) përdorimi i paligjshëm i fondeve publike, i përjashtimeve ose thjeshtimeve tatimore dhe i përfitimeve të tjera, të parashikuara nga ky ligj dhe dënohet me pezullimin, heqjen e përfitimit ose me gjobë deri në 100-fishin e përfitimit.

2. Gjobat vihen nga organet e kontrollit, të autorizuara me urdhër të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

3. Procedurat, afatet dhe mënyra e zbulimit të kundërvajtjes administrative, shqyrtimit, ankimit dhe ekzekutimit të dënimeve administrative me gjobë bëhen në përputhje me ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.

KREU XII

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 49

Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 17 pika 1 e 19 pika 2 të këtij ligji.

2. Ngarkohet Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 11, 19 pika 3, 20 pika 1 e 24 pika 1 të këtij ligji.

Neni 50

Shfuqizimet

Ligji nr.7603, datë 10.9.1992 “Për dërgimin pa shpërblim të kopjeve të detyruara të shtypshkrimeve bibliotekave” dhe çdo akt tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 51

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5088, datë 13.10.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Alfred Moisiu