04 Jul

Ligj Nr. 8576, datë 3.2.2000 Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

1. Objekt i këtij ligji është përcaktimi i parimeve dhe normave themelore të veprimtarisë së bibliotekave dhe të zhvillimit të gjithë sistemit bibliotekar. Ky ligj e shtrin veprimin e vet në të gjithë rrjetin e bibliotekave që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga forma e pronës dhe përkatësia institucionale.

2. Bibliotekat bëjnë pjesë në sistemin kombëtar të informacionit.

Neni 2

Bibliotekat janë institucione kulturore dhe informuese, që realizojnë hyrje të lirë në informacion në cilëndo formë që ai të jetë depozituar. Ato grumbullojnë, ruajnë, përpunojnë dhe vënë në dispozicion të përdoruesve koleksionet e veta që përmbajnë informacion në shërbim të formimit të tyre.

Neni 3

Rrjeti kombëtar bibliotekar përbëhet nga tërësia e bibliotekave të Republikës së Shqipërisë dhe funksionon në bashkëpunim me rrjetin e arkivave dhe atë të muzeve, në bazë të legjislacionit shqiptar në fuqi.

Neni 4

Veprimtaria e rrjetit të bibliotekave realizohet nëpërmjet:

a) përpunimit standard të materialeve bibliotekare;

b) përgatitjes dhe shpërndarjes së informacionit bibliotekar-bibliografik;

c) krijimit dhe mirëmbajtjes së katalogëve përmbledhës të pasurisë bibliotekare kombëtare dhe asaj të huaj;

ç) shkëmbimit dhe huazimit ndërbibliotekar.

Neni 5

Çdo person ose grup personash fizikë e juridikë, vendas ose të huaj kanë të drejtë të krijojnë bibliotekë me karakter publik apo të specializuar në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjet në fuqi.

KREU II

TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E SHTETASVE PËR PËRDORIMIN E SHËRBIMEVE BIBLIOTEKARE

Neni 6

Çdo shtetas në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga raca, mosha, seksi, kombësia, formimi arsimor e kulturor, gjendja sociale, bindjet politike dhe përkatësia fetare ka të drejtën e shërbimit bibliotekar.

Neni 7

Përdoruesi i bibliotekës ka të drejtë:

a) të marrë informacion për koleksionet e bibliotekës dhe për koleksionet e bibliotekave të tjera nëpërmjet mjeteve tradicionale dhe elektronike të informacionit bibliotekar;

b) të ndihmohet për kërkim dhe zgjedhje të botimeve informative;

c) të shfrytëzojë koleksionet e bibliotekës në mjediset e saj, të fotokopjojë dhe të huazojë materiale bibliotekare, sipas rregullores së bibliotekës;

ç) të huazojë materiale ose fotokopje të tyre nga bibliotekat e tjera brenda dhe jashtë vendit nëpërmjet shërbimit ndërbibliotekar.

Neni 8

E drejta për shërbim dhe informacion bibliotekar sigurohet falas dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë përdoruesit e bibliotekave shtetërore. Tarifat e shërbimit bibliotekar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Mënyra dhe kushtet e shfrytëzimit të bibliotekës përcaktohen në rregulloren e saj, që miratohet nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Neni 9

Përdoruesit detyrohen të respektojnë rregulloren e bibliotekës.

Ata që shkelin këtë rregullore dhe sjellin dëm material dhe ekonomik, e shlyejnë atë në masën dhe në formën e duhur, sipas legjislacionit në fuqi.

KREU III

DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E SHTETIT NË FUSHËN E BIBLIOTEKAVE

Neni 10

Shteti garanton mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dokumentare sipas ligjit nr.7726, datë 29.6.1993 “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat” dhe ligjit nr.7867, datë 12.10.1994 “Për mbrojtjen e pasurisë kulturore”, si dhe sipas konventave e marrëveshjeve ndërkombëtare, në të cilat ai është palë.

Neni 11

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve harton dhe ndjek zbatimin e strategjisë dhe politikave të zhvillimit në fushën e bibliotekave, në përputhje me politikën kulturore të Shtetit Shqiptar.

Neni 12

1. Ministritë, organet e pushtetit vendor dhe institucionet qendrore përcaktojnë politikën financiare të bibliotekave të sistemit të tyre përkatës.

2. Këto japin mbështetje financiare për realizimin e projekteve dhe të programeve të bibliotekave të propozuara nga vetë bibliotekat, shoqatat profesionale të punonjësve të bibliotekave, si dhe nga individë.

Neni 13

1. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve orienton dhe mbikëqyr veprimtarinë profesionale në të gjithë rrjetin bibliotekar të vendit.

2. Rregullat, udhëzimet dhe urdhëresat të nxjerra prej kësaj ministrie, në zbatim të pikës 1 të këtij neni, janë të detyrueshme për të gjithë rrjetin e bibliotekave të vendit.

Neni 14

Pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve funksionon Këshilli Kombëtar i Bibliotekave. Ai është një organ këshillimor, i cili përbëhet nga:

1. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kryetar

2. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Anëtar

3. Një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës “

4. Një përfaqësues i Akademisë së Shkencave “

5. Kryetari i Shoqatës së Bibliotekave të Shqipërisë “

6. Një përfaqësues i Ministrisë së Pushtetit Vendor “

7. Një përfaqësues i Ministrisë së Financave “

8. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë “

9. Një përfaqësues nga bibliotekat publike vendore “

10. Një përfaqësues ngas Qendra Kombëtare e Informacionit “

11. Një përfaqësues nga bibliotekat universitare “

12. Drejtori i Drejtorisë së Librit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e SporteveSesionet e Këshillit mbahen sipas rregullores së brendshme të miratuar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

KREU IV

DETYRAT E BIBLIOTEKAVE

Neni 15

Bibliotekat krijojnë dhe pasurojnë koleksionet e tyre mbi bazën e një gjykimi të pavarur profesional, në këshillim me mendimin e përdoruesve dhe të institucioneve të tjera kulturore, shkencore, edukative dhe informuese.

Neni 16

1. Koleksionet e bibliotekave, që përbëjnë trashëgiminë kulturore dokumentare, janë pjesë e pasurisë kulturore kombëtare.

Ato përbëhen nga materiale të shtypura dhe grafike, materiale audovizuale dhe elektronike, dorëshkrime etj.

2. Si dokumente të trashëgimisë kulturore, koleksionet e bibliotekave përfshihen në listën e objekteve që mbrohen nga rregulla të posaçme eksportimi.

3. Eksportimi i tyre i përhershëm është i ndaluar. Lejohet vetëm transferta ndërkufitare e përkohshme e tyre, sipas ligjeve shtetërore në fuqi.

Neni 17

Koleksionet e bibliotekave, me materiale shqip e në gjuhë të huaja, krijohen dhe pasurohen nëpërmjet blerjes, shkëmbimit dhe dhuratave.

Neni 18

Bazuar në udhëzimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe të dikastereve të tjera nga të cilat ato varen, bibliotekat:

- bëjnë spastrimin e materialeve të vjetëruara e që nuk qarkullojnë, nëpërmjet heqjes nga koleksionet e tyre të këtyre materialeve, në përputhje me rregullat financiare;

- bëjnë regjistrimin e materialeve bibliotekare dhe i përpunojnë ato sipas rregullave që bazohen në standarde ndërkombëtare të përpunimit bibliotekar-bibliografik;

- sigurojnë informaicon për lexuesit nëpërmjet katalogëve, bibliografive, mjete-ve elektronike etj.;

- vënë në shërbim të lexuesve koleksionet e bibliotekës në sallat e leximit ose i huazojnë jashtë saj, bazuar në rregullore;

- kryejnë marrëdhënie shkëmbimi e huazimi me bibliotekat e tjera të vendit në shërbim të plotësimit të kërkesave të lexuesve;

- u krijojnë kushte përdoruesve të fotokopjojnë materiale të bibliotekës, duke respektuar ligjin e të drejtës së autorit, si dhe rregulloren e bibliotekës;

- krijojnë kushte për shfrytëzimin e bibliotekës nga kategori të veçanta lexuesish si fëmijë, persona me aftësi të kufizuar etj.

Neni 19

Bibliotekat hyjnë në marrëdhënie shkëmbimi dhe huazimi me bibliotekat homologe në përputhje me rregullat e bashkëpunimit bibliotekar ndërkombëtar.

Neni 20

Ndalohet përdorimi i mjediseve të bibliotekave shtetërore për veprimtari partiake ose në shërbim të organizatave politike.

KREU V

ORGANIZIMI I BIBLIOTEKAVE

Neni 21

1. Detyrat dhe sfera e veprimtarisë së bibliotekës përcaktohen në statutin dhe rregulloren e saj, të miratuar nga personi fizik a juridik që e ka krijuar.

2. Organizimi i brendshëm i bibliotekës përcaktohet në rregulloren e miratuar nga drejtuesi i saj (drejtor ose përgjegjës).

Neni 22

Emërimi dhe lirimi nga funksioni i drejtuesit të bibliotekës bëhet nga organi që ka në varësi bibliotekën.

Neni 23

Drejtuesi përgjigjet për funksionimin dhe drejtimin e bibliotekës. Ai ka për detyrë:

a) të përcaktojë strukturën e bibliotekës;

b) të emërojë punonjësit specialistë dhe të administratës, në përputhje me organikën e përgjithshme dhe kriteret e përcaktuara nga organi epror;

c) të përgjigjet për veprimtarinë financiare të institucionit;

ç) të përcaktojë politikat e pasurimit të koleksioneve të bibliotekës. Të sigurojë informacione mbi to dhe shfrytëzimin e tyre;

d) të krijojë kushte për shërbimet bibliotekare dhe informuese.

Neni 24

1. Biblioteka ka këshillin e saj si organ funksional këshillimor të drejtuesit. Këshilli jep mendime për organizimin, veprimtarinë, shërbimet bibliotekare dhe informuese, si dhe për probleme të tjera që kanë të bëjnë me anën profesionale.

2. Në përbërje të këshillit janë drejtuesit, punonjës të bibliotekës dhe specialistë të njohur në veprimtarinë kulturore e shkencore, të miratuar nga titullari.

Neni 25

1. Organi, që ka në varësi bibliotekën, financon dhe ushtron kontroll për përdorimin e fondeve të dhëna.

2. Bibliotekat mund të përfitojnë nga burime të tjera financiare si ndihma nga fondacione, organizata shoqërore vendase dhe të huaja.

3. Të ardhurat e përfituara nga shërbimet për persona të tretë administrohen sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

KREU VI

LLOJET E BIBLIOTEKAVE

Neni 26

Bibliotekat janë:

1. Publike shtetërore

2. Publike private

Bibliotekat publike shtetërore, bazuar në funksionet, veprimtarinë dhe varësinë, klasifikohen në këto lloje:

· Biblioteka Kombëtare

· Biblioteka publike vendore

· Biblioteka të veçanta

· Biblioteka universitare e të shkollave të larta

· Biblioteka shkollore

Neni 27

Biblioteka Kombëtare

Biblioteka Kombëtare, me seli në Tiranë, është institucioni bibliotekar kryesor i vendit, si dhe qendër studimore shkencore.

Ajo organizohet dhe funksionon nën autoritetin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Biblioteka Kombëtare kryen këto funksione:

1. Është institucion depozitues i kopjes së detyruar, ku përfshihen të gjitha llojet e informacionit, në cilëndo formë të jetë i regjistruar.

Nëpërmjet kopjes së detyruar sigurohet:

a) krijimi dhe pasurimi i arkivit kombëtar me botime të formave të ndryshme me qëllim ruajtjen, transmetimin dhe zhvillimin e kulturës kombëtare për brezat e ardhshëm;

b) hartimi dhe botimi i bibliografisë kombëtare;

c) shfrytëzimi i botimeve të depozituara.

2. Grumbullon, pasuron, përpunon, ruan dhe vë në shërbim të përdoruesve botimet në gjuhën shqipe, si dhe botime në gjuhë të huaj që përmbajnë informacion për Shqipërinë dhe kombin shqiptar dhe përbëjnë koleksionin albano – balkanologjik.

3. Grumbullon, pasuron, përpunon, ruan dhe vë në shërbim të përdoruesve koleksione të literaturës botërore të karakterit të përgjithshëm.

4. Është qendra e përgatitjes dhe e shërbimit të informacionit bibliografik kombë-tar.

Kryen kontrollin bibliografik, përgatit dhe boton bibliografinë kombëtare e bibliografi korrente e perspektive të llojeve të ndryshme.

5. Është qendra kryesore e ruajtjes, përpunimit dhe dhënies së informacionit albano – balkanologjik.

6. Është qendër e krijimit dhe e mirëmbajtjes së katalogut përmbledhës kombëtar dhe merr pjesë në rrjetin ndërkombëtar të informacionit bibliotekar.

7. Kryen katalogizimin e librit për botim. 8. Kryen formimin dhe kualifikimin profesional të punonjësve të bibliotekave të vendit.

9. Është qendër e studimeve në fushën e bibliotekonomisë, bibliografisë dhe të shkencës së informacionit dhe punon për zhvillimin e këtyre fushave.

10. Është qendër metodike për zbatimin e standardeve dhe rekomandimeve të organizatave dhe organizmave përkatës ndërkombëtarë në tërë veprimtarinë bibliotekare.

11. Është qendër e restaurimit të materialeve bibliotekare që kalsifikohen si trashë-gimi kombëtare kultur-ore dokumentare.

Për të realizuar pasurimin e koleksioneve me vlerë kombëtare, Biblioteka Kombëtare kryen blerje me fonde buxhetore të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare emërohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Neni 28

Bibliotekat publike vendore

1. Janë institucione vendore, kulturore dhe informuese, që nxisin të mësuarit, zgjerimin e dijeve dhe interesin për lexim në rajonin ku ato zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Si institucione publike ato mbështesin pjesëtarët e bashkësisë, së cilës i shërbejnë, që të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe të luajnë rol aktiv në shoqëri.

2. Krijohen në çdo bashki dhe komunë. Ato janë në varësi administrative të organeve të pushtetit vendor në rajonin e të cilave zhvillojnë veprimtarinë.

3. Organet shtetërore vendore sigurojnë shërbim bibliotekar për popullsinë në ndarjet territoriale që janë në juridiksionin e tyre. Ato sigurojnë mjediset e bibliotekave sipas normativave të shërbimit të lexuesve dhe sasisë së koleksioneve, si dhe mjetet e pajisjet për zhvillim normal të veprimtarisë bibliotekare.

4. drejtuesi i bibliotekës publike vendore emërohet nga organet e pushtetit vendor, në varësi të të cilit është biblioteka, bazuar në kriteret e caktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ai duhet të jetë bibliotekar i kualifikuar profesionalisht.

5. Krijimi dhe shpërndarja e bibliotekave publike vendore, si dhe numri i punonjësve të tyre, caktohen sipas normativave të hartuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Vendor.

6. Koleksionet e bibliotekave publike vendore përmbajnë literaturë të karakterit të përgjithshëm të të gjitha fushave të diturisë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, si në formë të shtypur, ashtu dhe elektronike, me përparësi fushat për të cilat ka më shumë interes rajoni, ku biblioteka zhvillon veprimtarinë.

7. Bibliotekat publike vendore përhapin informacion me burim pushtetin qendror dhe atë vendor, si dhe çdo informacion tjetër me karakter publik nga burime të tjera.

8. Ato krijojnë katalogë dhe sigurojnë informacion të materialeve bibliotekare me karakter historik, kulturor, shkencor etj., për territorin ku ato zhvillojnë veprimtarinë.

9. Organizojnë shërbime të veçanta për anëtarë të bashkësisë që, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundësi të përdorin shërbimet e zakonshme si: njerëzit me aftësi të kufizuara, të sëmurët, minoritetet gjuhësore, banorët e zonave të largëta ose pak të populluara, të burgosurit etj.

10. Në varësi të koleksioneve, numrit të përdoruesve, si dhe të shërbimeve bibliotekare dhe informuese që kryejnë, bibliotekat publike vendore kategorizohen në dy nivele nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Bibliotekat e komunave përbëjnë kategorinë e tretë të sistemit të bibliotekave publike.

11. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Vendor, cakton në çdo prefekturë një bibliotekë që luan rolin e bibliotekës qendrore për bibliotekat e tjera të bashkive dhe komunave të saj.

Neni 29

Bibliotekat e veçanta

1. Krijohen dhe funksionojnë nën autoritetin e organeve qendrore, të dikastereve, Akademisë së Shkencave, institucioneve kërkimore – shkencore, instituconeve të kulturës, institucioneve fetare, qendrave ekonomike e shëndetësore, sociale dhe edukative, të ushtrisë e rendit, organizatave, fondacioneve, shoqatave, firmave dhe kompanive të ndryshme.

2. Grumbullojnë, përpunojnë dhe shërbejnë materiale bibliotekare dhe informacion sipas kërkesave e nevojave të personave fizikë e juridikë në varësi të të cilëve janë.

3. Drejtuesi dhe punonjësit emërohen nga titullari i subjektit që ka në varësi bibliotekën.

Neni 30

Bibliotekat e universiteteve dhe të shkollave të tjera të larta

1. Çdo universitet dhe shkollë tjetër e lartë krijon bibliotekën e vet. Bibliotekat e universiteteve dhe të shkollave të tjera të larta janë në shërbim të procesit mësimor, edukativ, të formimit profesional dhe të veprimtarisë shkencore të këtyre institucioneve.

2. Ato grumbullojnë, përpunojnë, ruajnë dhe venë në shërbim të përdoruesve materiale bibliotekare në përshtatje me kërkesat arsimore, shkencore dhe kulturore të tyre.

Sigurojnë shërbim falas për studentët, personelin mësimdhënës e administrativ, si dhe për persona të tjerë në përputhje me rregulloren e bibliotekës.

3. Bibliotekat universitare krijojnë degë të tyre në fakultete e departamente me miratimin e organit që i ka në varësi.

4. Kryen formim dhe kualifikim të posaçëm.

Neni 31

Bibliotekat e shkollave

1. Bibliotekat e shkollave tetëvjeçare e të mesme janë në shërbim të realizimit të programeve mësimore dhe edukative, si dhe të formimit profesional të punonjësve të arsimit.

2. Konceptimi, administrimi dhe bashkërendimi i veprimtarisë së bibliotekave shkollore sigurohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes drejtorive arsimore në rrethe dhe bashki.

KREU VII

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 32

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë akte nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 33

Çdo dispozitë që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.

Neni 33

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.2555, date 14.2.2000 te Presidentit te Republikes se Shqiperise, Rexhep Meidani