“Ditët e të Drejtës Evropiane- sezoni 1”

NJOFTIM
June 7, 2019
“Pyetshtetin.al”
June 11, 2019
“Ditët e të Drejtës Evropiane- sezoni 1”

Fakulteti i Drejtësisë të Universitetit të Tiranës organizoi në datë 07 qershor 2019 “Ditët e të Drejtës Evropiane- sezoni 1”, për promovimin e studimit të së drejtës evropiane. Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Forcimi i Studimeve të së Drejtës së BE në vendet e Evropës Juglidore të rrjetit rajonal të Fakulteteve të Drejtësisë të Rajonit të Evropës Juglindore (South East European Law School, SEELS)”. Rrjeti SEELS është rrjeti i parë akademik i këtij lloji në rajonin e Evropës Juglindore që përfshin 12 Fakultete Drejtësie të Universiteteve publike nga rajoni (11 anëtarë të rregullt dhe 1 anëtar të asociuar), ku Fakulteti i Drejtësisë UT është anëtar që p rej themelimit të tij në vitin 2011. Aktiviteti promovues i studimit të së drejtës së BE-së mblodhi akademikë, studentë e profesionistë të së drejtës, të cilët përcollën rëndësinë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik e shkencor si dhe shkëmbimit të njohurive mbi rregullime në sektorë të ndryshëm të vendeve të rajonit në analizë krahasimore me standartet e të drejtës së Bashkimit Evropian, në kuadër të rrugëtimit të përbashkët të vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Nxitja e botimeve shkencore me qasje krahasimore në Revistën Shkencore të Rrjetit të Fakulteteve të Drejtësisë, SEE Law Journal, u vlerësua veçanërisht e rëndësishme për të përmbushur këtë objektiv të rëndësishëm të hulumtimit dhe publikimit shkencor të mendimit juridik shqiptar në nivelin rajonal dhe kontributit në procesin e përafrimit të legjislacionit vendas me atë të BE-së.

 

Revista shkencore SEE Law Journal është një revistë unike rajonale në gjuhën angleze, e cila shërben si një platformë për dialog mes studiuesve të vendeve të ndryshme të rajonit, si dhe vendos një urë komunikimi mes studiuesve dhe politikëbërësve, duke përcjellë rezultatet e kërkimit shkencor, me qëllim që t’u shërbejë këtyre të fundit në vendimmarrje.  

 

Aktiviteti do të pasohet me një aktivitet tjetër promovues në fund të muajit qershor, me qëllim shpërndarjen e kopjeve të botuara të numrave pasardhës të Revistës, përveç botimit online me akses të lirë.